Në prag të takimit të Presidentit Trump me Presidentin e Koresë së Jugut

E publikuar: 21/05/2018 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in takohet më 22 maj me Presidentin Donald Trump, në përgatitje të takimit të ardhshëm me Korenë e Veriut për çështjen bërthamore, që është caktuar të mbahet në Singapor. Korrespondenti i Zërti të Amerikës Brian Padden njofton nga Seuli se fillimisht takimi ishte parashikuar për konsultime rutinë, por mund të shndërrohet në një seancë urgjente ndërmjetësimi, pasi Koreja Veriut kohët e fundit kërcënoi ta anulojë takimin:

Disa koreanojugorë konservatorë organizuan të premten e kaluar një miting përpara Ambasadës Amerikane në Seul, për të protestuar ndaj përpjekjeve të Presidentit Moon Jae-in për të arritur një marrëveshje paqeje me qeverinë e Koresë së Veriut, për të cilën ata thonë se nuk mund t’i zihet besë.

“Ata kanë folur në mënyrë shumë të paqartë për çmilitarizimin e Gadishullit Korean. Ajo që më shqetëson mua më tepër, është mungesa e transparencës mes Kim Jong Un-it dhe Presidentit Moon,”- tha organizuesi i takimit, Byun Hee-Jae.

Por shumica e koreanojugorëve i mbështesin përpjekjet e vazhdueshme diplomatike të zotit Moon për lehtësimin e bisedimeve të çmilitarizimit në mes udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un dhe Presidentit amerikan Donald Trump.

Në takimin e kohëve të fundit ndërkorean, zoti Moon e bëri Kim Yong Unin të konfirmonte përkushtimin e tij për ç’armatosjen bërthamore të gadishullit Korean dhe kjo hapi rrugën që Trump dhe Kim të negociojnë një marrëveshje më të detajuar për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut, kur ata të takohen në Singapor të qershor.

Megjithatë, pozicionet e prera që ka shprehur kohët e fundit Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton, për t’i kërkuar Koresë së Veriut çarmatosjen e njëanshme bërthamore, për të cilën Pheniani reagoi, duke kërcënuar me anulimin e bisedimeve të mëtejshme me Seulin dhe me tërheqjen nga takimi me Shtetet e Bashkuara, e kanë rrezikuar shpresën për vazhdimin e përparimit diplomatik.

Presidenti Trump është përpjekur ta sigurojë udhëheqjen koreanoveriore se marrëveshja bërthamore nuk do ta dobësonte qeverinë e zotit Kim, përkundrazi do ta fuqizonte atë.

“Marrëveshja ka për ta fuqizuar sundimin e Kim Jong Unit dhe do ta pasuronte vendin e tij.”- tha Presidenti Trump.

Por analistët thonë se qëndrimet jo-konvencionale diplomatike nga

Trump dhe Kim, që nxituan të takohen para arritjes së një marrëveshjeje, përballen me rrezikun për t’u minuar nga elementë të vijës së ashpër në qeveritë e tyre.

“Unë mendoj se ka pikëpyetje si në Phenian, edhe në Uashington lidhur me çështjen se si udhëheqësit e tyre lidhen me burokracitë e tyre. Ndoshta sot jemi duke parë fakte për këtë.”- thotë Scott Snyder, drejtor për politikat në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.

Presidenti Moon, që është në plan të takohet të martën në Uashington me Presidentin Trump, ka thënë se do të përpiqet t’u zbusë diferencat mes SHBA dhe Koresë së Veriut lidhur me mënyrat e arritjes së çmilitarizimit, ndërsa i jep njëjohësisht qeverisë koreanoveriore garanci për sigurinë dhe lehtësimin e sansksioneve që ai kërkon.

Por Pheniani po ashtu mban një qëndrim më të ashpër me Seulin; një negociator i nivelit të lartë e ka cilësuar qeverinë jugkoreane “injorante dhe jo kompetente”, duke i denoncuar manovrat ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugur dhe duke kërcënuar me ndërprerjen e bisedimeve ndërkoreane.

Po ashtu ekzistojnë shqetësimet se Kina mund ta ketë nxitur Korenë e Veriut që të mbajë një qëndrim më gradual ndaj çmilitarizimit, duke premtuar lehtësimin e sanksioneve, cilido qoftë rezultati i takimit.