Ndalohen 60 persona pa maska në kryeqytet, gjobat nisin nga 500 euro

E publikuar: 14/07/2020 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim për shtimin e masave të reja anti-COVID, në mënyrë që përhapja e virusit të jetë sa më e vogël. Qytetarët janë të obliguar që të bartin maskën, pavarësisht vendit në të cilin ndodhen. E në rast të mos vendosjes së maskës, qytetarët mund të gjobiten nga 500 deri në 8 mijë euro.

I kontaktuar nga Indeksonline, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka bërë të ditur se gjobat shqiptohen përmes Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe variojnë nga 500 deri në 8 mijë euro, varësisht shkeljes e cila bëhet dhe varësisht klasifikimit si person fizik, apo juridik.Numër i madh i inspektorëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë parë nëpër rrugët e kryeqytetit, duke ndaluar qytetarët të cilët nuk posedonin maska, apo nuk respektonin distancën.

E vetëm dje lidhur me këtë janë marrë shënime për procedurë të mëtutjeshme për 155 qytetarë dhe pesë biznese.

“Dje janë marr shënimet për procedurë të mëtutjeshme për 115 qytetarë dhe 5 biznese, përgjatë inspektimeve në terren bashkë me Policinë e Kosovës”, tha Tahiri.

Sipas të njëjtit, situata sot ishte shumë më e mirë dhe është vërejtur respektim edhe më i madh i masave nga qytetarët.“Si rezultat, numri i të ndaluarve gjatë ndërrimit të parë ishte 50% më i vogël se dje, pra janë evidentuar si shkelës vetëm 60 qytetarë”, deklaroi Adonis Tahiri.

Ndërsa secili rast procedohet me aktvendim të gjobës në Gjykatë, përmes inspektorëve sanitar.Ditë më parë, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj bëri të ditur se janë shtuar edhe 20 inspektorë sanitarë anembanë vendit të cilët do të jenë në terren për të përcjellur situatën pandemike dhe respektimin e masave.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 5 mijë e 118, kurse kanë humbur jetën 108 persona.