MyEtherWallet viktimë e një sulmi hakerash, vidhen 215 Ethereum

E publikuar: 24/04/2018 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Portofoli më popullor në internet i ethereum, MyEtherWallet (MEW), ra viktimë e një sulmi hakerash të cilët kompromentuan DNS-të e kompanisë.

Përdorues të shumtë raportuan humbje parash, ndërsa ky sulm tregon rreziqet e përdorimit të sistemeve të centralizuara edhe kur asetet ruhen nga individi.

Sipas raportimeve të para besohet se janë vjedhur 215 monedha Ethereum nga hakeri i cili ka ndërmarrë sulmin.

Më 24 Prill disa përdorues të MyEtherWallet raportuan aktivitete të dyshimta kur përpiqeshin të aksesonin llogarinë në ueb.

Platforma nuk mban të ardhurat e përdoruesve, por si të gjithë uebsajtet rrezikohet nga hakimet duke ekspozuar të dhënat e të gjithë atyre që ndërveprojnë me shërbimin.

MEW konfirmoi përmes rrjetit social Twitter vështirësitë që po kalonin dhe sulmin ndaj DNS-ve.

Shenja te para që treguan se diçka nuk shkonte u shfaqen në Reddit ku një përdorues tha se mund të ishte mashtruar ose hakuar.

Si portofoli më popullor “client-side” ethereum, MEW përdoresh për të dërguar para, blerë Cryptokitties dhe kryerjen e transaksioneve mbi baza ditore.

Një sulm i ngjashëm ndaj DNS-ve u krye në Dhjetor ndaj një tjetër platforme ethereum, Etherdelta.

Myetherwallet nuk është sajti vetëm që raportoi probleme me DNS-të. Edhe Binance shkruane në Twitter se DNS-të e Google kishin rënë ku disa përdorues nuk mund të aksesonin bursën.