Munishi: Belgjika nuk do të guxojë më të luajë ndeshje sikurse kjo me Japoninë

E publikuar: 03/07/2018 02:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi ka komentuar ndeshjen dhe formën e Belgjikës në ndeshje ndaj Japonisë, e cila u fituar vetëm në fund me rikthim me rezultat 3-2.

Munishi ka treguar dobësitë e Belgjikës në emisionin Dueli Botëror në RTV Dukagjini, i cili udhëhiqet nga Fisnik Zymi dhe Arta Nitaj.

“Gjatë kualifikimeve, këta aq shumë kanë qenë më kualitativ se kundërshtarët e vet saqë në çfarëdo forme e kanë mposhtur kundërshtarin”, ka thënë fillimisht Munishi në emisionin Dueli Botëror në RTV Dukagjini.

“Ata kanë lojtarë kualitativ si De Bruyne, Hazard, Lukaku, Mertens. Edhe grupin nuk e kanë pasur të fortë dhe nuk kanë mundur të përmirësohen në këtë aspekt”.

“Tani kur janë ballafaquar me Japoninë e kanë parë se nuk është njësoj sikurse në televizor. Këtu është gabimi i trajnerin pasi është dashur të luaj më i rezervuar”.

“De Bruyne nuk po luan në pozitën e tij që luan te City, pasi po luan në qendër së bashku me Witselin dhe nga aty Japonia dilte lehtë në kundërsulm”.

“Problemi tjetër është se nuk mundesh me luajt me tre mbrojtës dhe me pas Companyn në formacion. Me luajt me tre mbrojtës, duhet mi pas të tretë të shpejtë dhe dy mesfushorët para tyre si ‘pit-bulla sepse ka shumë hapësira pastaj”.

“Tash e tutje trajneri i Belgjikës nuk guxon me luajt me de Bruynen dhe me tre mbrojtës me kundërshtarët tjerë sepse këto janë reprezentacione të nivelit të lartë dhe të dënojnë. Aty ku je më i dobëti e shfrytëzojnë dhe të dënojnë”, përfundoi trajneri kosovar. /Telegrafi/