MPJ: Serbia po del kundër marrëveshjeve të Brukselit – përgjigjemi me reciprocitet

E publikuar: 11/08/2018 15:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ri-përsërit se ndalimi për herë të dytë brenda pak ditësh i ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, që të hyjë në shtetin fqinj dhe të vizitojë familjarët e tij është në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit, njofton Klan Kosova.

“Zotimin deklarativ të shtetit fqinj Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe një shkelje e sistematike e njërës prej të drejtave fundamentale të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme thërret autoritetet e shtetit fqinj që të ndërpresin menjëherë veprimet dhe sjelljet e tilla ndaj shtetasve të Kosovës dhe paralelisht me këtë edhe përfaqësuesit e BE-së që të dalin në mbrojtje të njërit prej parimeve themelore, në bazë të së cilit është themeluar edhe vet BE-ja.

MPJ njofton se do të përcjellë me vëmendje të posaçme rastet e ngjashme në të ardhmen, rishqyrtojë qasjen pozitive ndaj kërkesave për vizita nga autoritetet e Serbisë në Kosovë dhe do të veprojë në bazë të parimit të reciprocitetit, nëse raste si ky përsëriten në vazhdimësi dhe janë qëllimliga.