MPJ i jep leje Gjuriqit për vizitën në Kosovë për “Vidovdan”

E publikuar: 27/06/2017 22:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq nesër do të vije në Kosovë për festën e Vidovdanit.

Me këtë rast ai ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në ceremoninë e kësaj feste me fillim nga ora 9:00 në Manastirin e Gracanicës, përderisa Gjuriq në këtë manastir do të nderohet edhe me një medalje në orën 11:00.

E për këtë festë, e cila ndërlidhet me Betejën e Kosovës dhe që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, ai do të vije me lejen e shtetit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Bashmi Xhemaj, shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili thotë se Gjuriqi së bashku me disa pelegrinë të tjerë do të vijnë me lejen e MPJ-së.

“”Marko Gjuriq dhe disa pelegrinë të tjerë do të vijnë në Kosovë me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme për festën e tyre”, ka thënë për Xhemaj për Indeksonline.

Ndryshe, Gjuriq ditë më parë para fillimit të koncertit për Vidovdanit, ka thënë se kjo festë është betimi i serbëve se ata janë të gatshëm të luftojnë për popullin e vet dhe se nuk do të heqin kurrë dorë nga Kosova.