Ministri Tahiri: Drejtësia komerciale prioritet që po merr formë

E publikuar: 14/11/2018 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim drejtoreshën e re të Misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Lisa Magno.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim drejtoreshën e re të Misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Lisa Magno.

Ministri Tahiri e ka njoftuar drejtoreshën Magno për procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës është duke u hartuar një politikë publike që synon konsolidimin e drejtësisë komerciale.

Ministri Tahiri ka theksuar se drejtësia komerciale është një prioritet themelor që tashmë po merr formë konkrete, me ç ‘rast ka vlerësuar mbështetjen e deritanishme që USAID-i i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë dhe ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdoj edhe më tutje, sidomos në kuadër të Rishikimit Funksional dhe Agjendës “Drejtësia 2020”.

Sipas ministrit Tahiri, reformat në drejtësinë komerciale janë fundamentale për zhvillimin e një sistemit të qëndrueshëm të drejtësisë që ndërlidhet me të bërit biznes, si një domosdoshmëri që siguron sektorin e biznesit për qasje të shpejtë dhe efikase në drejtësi, efektet e së cilës padyshim se do të ndikojnë edhe në rritjen e investimeve të huaja, transmeton lajmi.net.

Gjatë takimit është biseduar edhe për hapat e mëtejmë implementues në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020”, si dhe për planet për konsolidimin e sistemit të ndërmjetësimit dhe digjitalizimit të shërbimeve noteriale që do të mundësojnë sisteme më të besueshme të raportimit dhe mbikëqyrjes por edhe qasje më të lehtë në drejtësi.