Milan, 150 milionë Euro për skuadrën e re

E publikuar: 07/06/2015 15:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

150 milionë Euro. Kaq do të investojë Milani në merkaton verore për të ndërtuar një skuadër të re pas sezonit katastrofik. Presidenti Silvio Berlusconi ka gati çekun për administratorin e deleguar, Adriano Galliani i cili ka nisur punën për të piketuar lojtarët që do të afrojë klubi kuqezi gjatë muajve të verës. Marrëveshja e arritur me Mr. Bee zgjidh shumë probleme në arkën e klubit që shton buxhetin me 480 milionë Euro dhe një pjesë e tyre do të shkojnë pikërisht për emrat e kërkuar.

Sipas “Corriere Dello Sport” goditjet e mëdha të merkatos do të jenë tre, nga një për çdo repart të skuadrës. Në mbrojtje, tifozët kërkojnë afrimin e Mats Hummels. Për gjermanin, Galliani shfrytëzoi udhëtimin e Berlinit ku zhvilloi disa takime por ende nuk dihet asgjë. Një tjetër emër është edhe mbrojtësi i Marseille, Matheus Doria. Ndërkohë, një sinjal premtues ka lëshuar edhe Daniel Alves i cili lë të hapur mundësinë e largimit nga Barcelona. Pas finales së çmendur që zhvilloi në Berlin, braziliani u shpreh i nderuar për interesin që kuqezinjtë kanë shfaqur në adresë të tij. “Po vlerësoj ofertat por është e mundur që të luaj në Itali”, thëksoi mbrojtësi i djathtë, kontrata e të cilit me klubin katalanas ka përfunduar dhe tashmë ai është një lojtar i lirë. Ndërkohë, Sinisa MIhajlovic që pret zyrtarizimin në stol, ka në plan të tërheqë nga Sampdoria të riun Romagnoli.

Një pistë e mundshme mbetet edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili planifikon largimin nga Paris Saint Germain por me idenë për të emigruar përtej Atlantikut, në kampionatin amerikan. Galliani ka lënë një derë të hapur për rikthimin e suedezit në “San Siro”, por paga e tij faraonike do të jetë një pengesë e madhe në bisedimet mes palëve. Milani i ri po merr formë, të paktën në letër. Adriano Galliani përgatitet për një tur force në tregun europian ku kërkon të shpenzojë 150 milionë eurot e premtuara nga presidenti./supersport.al/