MD-ja sqaron procesin e rishikimit të Kodit Penal dhe të Procedurës Penale

E publikuar: 26/04/2017 17:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate ka sqaruar se është e përkushtuar të hartoj Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale sipas modeleve të avancuara të vendeve të Bashkimit Evropian.

Me qellim të avancimit të legjislacionit të fushës penale (Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale), Ministria e Drejtësisë është në proces të rishikimit të këtij legjislacioni.

“Përmes këtij procesi, para së gjithash synojmë: avancimin e mëtejshëm të legjislacionit të kësaj fushe përgjithësisht me fokus rishikimi i dispozitave që i referohem forcimit të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe forcimit të luftës kundër terrorizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar; adresimin e sfidave apo vështirësie që kane hasur organet e zbatimit të legjislacionit penal, si dhe adresimin i të gjeturave nga raportit për vendin i Komisionit Evropian”, thuhet në sqarim.

Pas pranimit të komenteve dhe propozimeve, si dhe themelimit të grupit punës në lidhje me këtë çështje,  Ministria e Drejtësisë ka hartuar draftin fillestar të Projektligjit për ndryshim plotësimin e Kodit Penal.

“Me rastin e hartimit të këtij drafti Ministria e Drejtësisë ka  marrë për bazë propozimet e akterëve të përfshirë në këtë proces si dhe praktikat e mira të vendeve të Bashkimit Evropian në përgjithësi e shtetit të Gjermanisë në veçanti”.

“Disa nga nenet e propozuara për diskutim nga ana e anëtarëve të grupit punues, e që kanë të bëjnë me forcimit e sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, janë marr model nga Kodi Penal i Gjermanisë, i cili është në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe si të tilla janë objekt shqyrtimi nga ana e grupit punues dhe nuk janë propozim i asnjë institucioni, e për të cilat grupi punues i themeluar për këtë çështje do të jetë kompetent t’i trajtoj dhe të rekomandoj se si të procedohet tutje me këtë çështje”, thuhet në sqarim.

Aktualisht, drafti u është dërguar për komente anëtarëve të grupit punues, përfaqësuesve të shoqërisë civile, si dhe partnerëve tanë ndërkombëtar.

“Ministria e Drejtësisë, aktualisht është në fazën e pranimit të komenteve dhe propozimeve shtesë nga ana e anëtarëve të grupit punues. Ministria e Drejtësisë është thellësisht e përkushtuar që procesi i rishikimit të drejtësisë penale  do të jetë gjithëpërfshirës dhe shumë transparent, me qellim të avancimit të mëtutjeshëm të legjislacionit aktual, në menynë që organeve të cilat merren me zbatimin e ligjit t’u mundësohet infrastrukturë adekuate ligjore, që puna e tyre të jetë sa me efikase dhe efektive, në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative”.

Ministria e Drejtësisë fton të gjitha palët dhe mediat të përmbahen nga paragjykimet dhe të kuptojnë së çështjet e propozuara aktualisht janë në nivel diskutimesh dhe janë vetëm propozim për të cilat do të vendosë grupi punues.