Mbushet Batllava, turbullohet Badoci

E publikuar: 12/03/2016 10:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë bërë që dy liqenet akumuluese, nga të cilat furnizohen me ujë të pijshëm banorët e rajonit të Prishtinës, të mbushen me ujë.

Liqeni i Batllavës tashmë ka mbërri nivelin maksimal të ujit, kurse liqeni i Badocit është turbulluar dhe është në prag të shkallës maksimale të nivelit të ujit.

Sipas, Ujësjellësit “Prishtina”, turbullimi i ujit ka bërë që zonat që furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit të kenë reduktime.

“Për shkak të rritjes së nivelit të ujit në liqenin e Badocit si rezultat i reshjeve atmosferike ditëve të fundit, ky liqe gjatë ditës së sotme është turbulluar dhe për shkak të ruajtjes së cilësisë së ujit, jemi detyruar të zvogëlojmë prodhimin e ujit nga 350 l/s në 150 l/s”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit “Prishtina”.

“Me kapacitetin aktual prodhues jemi të detyruar të aplikojmë reduktime të ujit në të gjitha zonat që furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit, edhe pse, deri në ditën e djeshme furnizimi me ujë për zonat e këtij sistemi ka qenë 22 dhe 24 orë”.

“Posa të bie shkalla e turbullirës së ujit në këtë liqe, furnizimi me ujë të pijshëm do t’i kthehet normalitetit, edhe pse, gjithçka varet nga kushtet atmosferike”, thuhet në njoftim.