Mbahet takimi i 164-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

E publikuar: 27/03/2019 17:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 Takimi i 164-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilën e ka udhëhequr Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, kishte në fokus të shqyrtimit dhe diskutimit një sërë çështjesh të rëndësishme për sistemin prokurorial. 

Pas prezantimit të raportit të Komisionit të caktuar nga KPK-ja për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në KPK, është bërë betimi i anëtares së re të KPK-së, prokurores Merita Bina – Rugova, e zgjedhur nga radhët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në vijim të takimit u miratua Plani strategjik i sistemit prokurorial 2019-2021, i cili është prezantuar nga drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi. Ky plan përqendrohet në përmirësimin e efikasitetit, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit prokurorial përmes ndërmarrjes së masave specifike që janë të detajizuara në objektiva specifike dhe planin e veprimit. 

Gjithashtu është miratuar edhe Raporti vjetor për vitin 2018 i Komisionit mbikëqyrës për zbatimin e Planit strategjik dhe Planit të veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, të cilin e ka prezantuar prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.  

Edhe Rregullorja për administrimin dhe ndarjen e lëndëve në Prokurorin e Shtetit është miratuar me disa rekomandime të anëtarëve të Këshillit, të cilën e ka prezantuar kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, prokurori Zejnullah Gashi, rregullore kjo, e cila përcakton mënyrë ligjore të ndarjes së lëndëve, pas fillimit të zbatimit të plotë të sistemit elektronik të lëndëve – SMIL.

Po ashtu, në vijimësi të këtij takimi janë trajtuar kërkesa të ndryshme lidhur me vlerësimin e përformansës së prokurorëve.  

Në fund të takimit, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka njoftuar anëtarët e Këshillit për nënshkrimin e dy memorandumeve të mirëkuptimit – atë  me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Policinë e Kosovës për funksionalizimin e bazës së të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje dhe  Memorandumin e Mirëkuptimit me Akademinë e Drejtësisë për mbështetjen e avancimit profesional dhe lehtësimin e zhvillimit të programeve të trajnimit për sistemin prokurorial./Infosot/