Matoshi: Gjuriq është fashist klasik, s’ka dialog me të

E publikuar: 18/03/2019 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi ka reaguar lidhur me raportimet e mediave serbe se Marko Gjuriq mohon masakrën e bërë në Reçak, raporton Gazeta Express.

Përmes një shkrimi në Facebook, Matoshi ka shkruar se në vend të kërkim faljes ndaj shqiptarëve ai e mohon edhe masakrën të cilën e ka konfirmuar edhe William Walker.

“… Po ashtu neofashisti Djurić i ka mohuar edhe krimet tjera anë e kënd Kosovës. Djurić duke akuzuar NATO-n për intervenimin ndaj Serbisë miloševićiane, për ta ndaluar përpjekjen gjenocidale ndaj shqiptarëve, injoron ndër tjera edhe vrasjen e 1370 fëmijëve nga 1-15 vjeç, dhunimin e rreth 20 mijë grave shqiptare dhe vrasjen e mbi 10 mijë civilëve, sipas Fondit Ndërkombëtar Humanitar me seli në Beograd, nga forcat serbe në Kosovë”, shkroi Matoshi.

Tutje, këshilltari i kryeministrit thotë se me të nuk duhet të kthehet në dialog pala kosovare.

Sipas Matoshit, i gjithë Bashkimi Evropian do të duheshin të tronditeshin në vend se ta fajsojnë Kosovën

 “Qe me kë u dashka të rikthehet në dialog pala kosovare!? Qe për kauzën e kujt po angazhohen disa çarqe brenda BE-së dhe Zonja Mogherini!? Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe tërë selia e BE në Bruxelles, do të duhej të tronditeshin nga kjo deklaratë në vend se ta fajësojnë Kosovën. Thjesht Djurić është fashist klasik! Ai i ka vrarë përsëdyti viktimat në Kosovë!?”, ka përfunduar ai./