Mardhëniet me SHBA’të dhe Brukselin janë për popullin shqiptar të Kosovës pothuajse gjithçka

E publikuar: 12/02/2020 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në planin e brendshëm ato janë fundament i shtetësisë, demokracisë, mirëqenies, lirisë, sigurisë dhe pavarësisë, ndërsa në planin e jashtëm fundament i barazisë me popujt fqinjë.

Kjo për arsye se shtetësia e Kosovës është projekt i superfuqisë më të madhe botërore dhe aleatëve të saj më të ngushtë evropian. 

Prandaj ekzistenca dhe mbarëvajtja e këtij projekti ndërlidhet ngushtë me mënyrën se si i kryejnë detyrat shtëpiake përfaqesuesit vendor të popullit në pushtet dhe sa janë ata të koordinuar përmbajtësisht me administratën shtetërore amerikane dhe evropiane. 

Nëse këto mardhënie i analizojmë dhe perceptojmë apriori nga këndvështrimi dimensional-figurativ, atëherë do ta ndiejmë thellë në shpirtin tonë të padjallëzuar dhe boem inferioritetin e bubrecit ndaj elefantit, mirëpo fatmirësisht kështu nuk funksionon as politika lokale, e as ajo globale. 

Madje as në botën bimore dhe shtazore në raportet ndërmjet specieve të mëdha dhe fuqishme me speciet e vogla dhe të pafuqishme nuk mbizotëron apriori imponimi, gjegjësisht diktati i vullnetit të të madhit e ndaj të voglit. 

Sepse, natyra për secilin specie e ka krijuar një ambient jetësor specifik, apo një domicil ku Leci mund ta vazhdojë jetën si Lec, ndërsa Qumili si Qumil.

Raportet e Israelit me USA nuk do ta kishin kurrë këtë dimension përmbajtësor dhe cilësor, sikur politika zyrtare israelite të mos përmbante kaq shumë kualitet në kuptimin profesional, diplomatik dhe atdhetar. 

Prandaj jo madhësia e popullit dhe shtetit e përcakton cilësinë e mardhënieve të ndërsjella, por artikulimi dhe koordinimi cilësor i interesave të përbashkëta gjeopolitike dhe gjeostrategjike. 

Natyrisht që emocionet në politikë luajnë rol të veçantë, sepse ato krijojnë efekte të rëndësishme psikologjike dhe sociologjike si në politikën e brendshme dhe jashtme, një ashtu edhe në popull, ngaqë ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e perceptimit, gjegjësisht mendimit publik, respektivisht në krijimin e ambientit politik që e përcakton kahjen e rrugëtimit të përbashkët strategjik drejtë ardhmërisë.

Sa më i këndshëm, shëndetshëm dhe përshtatshëm që është ambienti i bashkëpunimit, aq më i lehtë është rrugëtimi i përbashkët gjeopolitik dhe gjeostrategjike drejtë ardhmërisë. 

Natyrisht që një rrugëtim i tillë për palën e plogësht është me interes të veçantë, sepse përkrahja që ajo  e gëzon prej palës së fortë i jep asaj përveç sigurisë psikologjike edhe siguri reale. 

Kur këtyre mardhënieve i shtohet edhe komponenti ekonomik, financiar, tregtar, social, kulturor dhe edukativ, atëherë flitet për mardhënie reciproke përmbajtësore dhe cilësore që kanë shumëfish kuptim, sepse për të plogështin përkrahja nga i forti është uratë, gjegjësisht bekim. 

Mirëpo mardhëniet reciproke ndërmjet Kosovës së vogël (pa bazë të fuqishme ushtarake, ekonomike, financiare, demokratike dhe sociale) me Amerikën dhe Brukselin gjigant, varen para së gjithash nga mençuria, urtia, maturia, kreativiteti dhe shkathtësia e përfaqësuesve tanë në pushtet për t’i artikuluar, jetësuar, harmonizuar dhe koordinuar nevojat dhe interesat tona njerëzore, kombëtare e shtetërore me interesat dhe nevojat e aleatëve e dëshmuar ndërkombëtar. 

Për mua është hero çdo shqiptar që ka kontribuar për ndërtimin e mardhënieve reciproke cilësore deri në atë masë sa që ta shpëtojë popullin dhe atdheun e tij nga zhdukja. 

Dhe ky shpëtim nuk do të ishte i mundur kurrë pa mbështetjen, gjegjësisht përkrahjen e madhe të administratës shtetërore amerikane, sepse pikërisht nga kjo përkrahje ka rezultuar jetësimi i shtetit tonë fantom. 

Anasjelltas për mua është anti hero çdo shqiptar që e ka keqpërdorë votën, gjegjësisht besimin e sovranit për ta rrënuar këtë shtet të krijuar me kaq shumë gjakderdhje, mund e sakrificë. 

E sidomos kur dihet se shteti ynë fantom do të mbetej vetëm shkronjë e zezë në letrën e bardhë pa përkrahjen e gjithanshme të gjigantëve ushtarak dhe politik të kësaj bote, të cilët përpos që i ndihmuan UÇK-së së lavdishme për ta çliruar territorin nga okupatori, e pranuan të parët edhe realitetin e ri juridik dhe faktik në terren. 

Sepse, nuk është njësoj sikur ta shpallesh një shtet në letër nën hijen e pushtuesit dhe të shtirësh kinse gjithçka është në rregull, ngaqë populli që e kompenson mungesën e lirisë me vet-mjaftim është i vlefshëm sa një spec turshi në tjegull. 

Pa jetësimin e vullnetit të popullit në realitet, shteti fantom është një barrë e rëndë mbi supe, siç u dëshmua pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut.

Mirëpo, a mund të kritikohet akti i shpalljes së pavarësisë kur dihet se ishte para së gjithash nevojë shpirtërore, psikologjike, kulturore dhe edukative e popullit për ta shprehur vullnetin e tij demokratik, njerëzor e kombëtar  qoftë edhe në letër dhe për t’ia përcjellë mesazhin e shpirtit botës së civilizuar ? 

Natyrisht asesi. 

Mirëpo çka ndodhi te ne pas çlirimit ? 

Pikërisht përfaqësuesit e vërtetë të popullit në pushtet u shndërruan në keqbërës politik, ekonomik dhe financiar dhe e rrënuan shtetin pothuajse njësoj si armiqtë e dëshmuar shekullor. 

Dhe ky rrënim po zgjat që dy dekada, prandaj po më villet nga pafytyrësia e tyre kur po i dëgjoj duke u ankuar pse faktori ndërkombëtar e ka izoluar popullin dhe shtetin e tyre sikur të ishte i prekur nga epidemia e ebolles në karantinën e quajtur Republika e Kosovës. 

Po me villet sepse këta shkaktarë të dëmeve të paimagjinueshme ekonomike, financiare, sociale, arsimore, kulturore, shëndetësore dhe edukative janë njëherazi edhe komplotistë, gjegjësisht tradhtarë ndaj interesave nacionale. 

Dhe janë tradhtarë sepse i kanë dëmtuar rëndë interesat e popullit dhe e kanë dobësuar shtetin. 

Prandaj kur të tillët i japin leksione Qeverisë së sapoformuar se si duhet të sillet me popullin dhe ndërkombëtarët, atëherë rrotullohen në varr të gjitha magaricat që kanë jetuar ndonjëherë nën këtë qiell dhe jo vetëm të parët. 

Sepse bëhet fjalë për keqbërës të qëllimshëm që e kanë dobësuar fuqinë negociuese të shtetit jo vetëm në negociatat e kaluara dhe të ardhshme me Serbinë, por edhe që e kanë humbur kredibilitetin, gjegjësisht besueshmërinë te aleatët e dëshmuar ndërkombëtar. 

Dhe këtë fuqi reale bazike të popullit dhe shtetit këta keqbërës e kanë dobësuar akoma më shumë përmes ndasive të thella partiake, klienteliste, sociale dhe religjioze, si dhe përmes  problemeve të rënda ekonomike, financiare, kulturore, arsimore, edukative dhe shëndetësore që i kanë shkaktuar. 

Prandaj lirisht mund të konstatohet se gjendja  mjerë e popullit dhe shtetit e mbanë mbishkrimin e injorancës, lakmisë dhe grykësisë së individëve që kanë qenë pjesë përbërëse e nomenklaturave klepktokrate dhe kuislinge në tërë periudhën e pasluftës. 

Pikërisht për këtë arsye nuk dua të jem nën lëkurën e Albin Kurtit dhe qeveritarëve të tij, sepse e kanë gjetur popullin dhe shtetin në gjendjen më desolate të mundshme. 

Dhe të gjithë ata që besojnë se Albin Kurti e ka një shkop magjik si Magjistari i Ozit i kanë hipur që moti trenit, apo siç thuhet në gjuhën e deformuar të popullit vozit. 

Albini shkop magjik me siguri nuk ka, mirëpo ai e ka synimin më fisnik të mundur, sepse në zotimet e tij jetësore gjithmonë ka mbetur i palëkundur. 

Sensi i Albinit për të parashikuar zhvillime ngjarjesh e ndodhishë është legjendar, prandaj do t’ia përcaktoj atij edhe koordinatat e duhura të veprimit. 

Mirëpo suksesi i tij do të varet nga përkrahja jonë e fuqishme për agjendën e tij tejet përmbajtësore, kreative dhe inteligjente. 

Ju ftoj përzemërsisht që ta bëni këtë pa hezituar, sepse bashkimi e bënë fuqinë dhe jo forca e Ramiz Lladrovcit që shndërrohet në fuqi të Adriatik Kelmendi pa e pyetur Ajnshtajnin për leje.