Maradona në mbrojtje të Messit: Kam humbur pesë penallti rresht dhe sërish kam qenë Diego Maradona

E publikuar: 18/06/2018 09:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Maradona, ka dalë në mbrojtje të Lionel Messit, pasi superylli i Barcelonës e humbi penalltinë në ndeshjen kundër Islandës.

Në barazimin (1-1) e dy përfaqësueseve që bëjnë pjesë në Grupin D, lojtari kryesor i Albicelestëve e pati shansin ta shënonte golin e epërsisë, mirëpo portieri kundërshtar, Hannes Halldorsson, ia mbrojti penalltinë.

Sidoqoftë, Maradona ka thënë se edhe lojtarët më të mirë gabojnë nga pika e bardhë, ndërsa si shembull e ka marrë veten.

“Kam humbur pesë penallti radhazi dhe sërish kam qenë Diego Armando Maradona”, është shprehur fituesi i Kupës së Botës për Telesur.

“Ndeshja dhe dy pikët e humbura nga skuadra nuk janë pasojë e penalltisë së tij. Ai e tregoi fytyrën e tij duke dhënë gjithçka që kishte. Ai e kreu punën e tij”.

Tifozët e Argjentinës dhe të pëlqyerit e tyre (Foto: Getty Images)

“Kur e shihja në fushë, ishte shumë i nevrikosur. Ashtu si do të isha edhe unë. Ishte gjithmonë ai, vazhdimisht duhej të shmangte dy lojtarë dhe kur e bënte këtë, askush nuk ishte i hapur”, ka shtuar Maradona.

Legjenda e futbollit ka thënë se Argjentina do t’i ndryshojë gjërat në ndeshjet e ardhshme. /Telegrafi/