Man City mposht Chelsean në finale të Superkupës së Anglisë, fiton trofeun e parë sezonal

E publikuar: 06/08/2018 07:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Manchester City ka fituar ndaj Chelseat me rezultat 2-0 në finalen e Superkupës së Anglisë e njohur ndryshe si FA Community Shield.

Skuadra e Pep Guardiolas i ka dhënë leksion asaj të Maurizio Sarrit në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit, të zhvilluar në stadiumin Wembley.

Guardiola e njoftoi Sarrin me futbollin anglez (Getty Images)

Qytetarët ishin më të mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe arritën ta fitojnë trofeun e parë këtë sezon pas një fitore të lehtë ndaj fituesve të FA Cup.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte paksa më e barabartë, por me Cityn për një nuancë më të mirë, pasi arritën ta gjejnë edhe golin.

Ishte sulmuesi argjentinas, Sergio Aguero, i cili shënoi në minutën e 13-të për 1-0 pas asistimit të Phil Foden, duke shënuar golin e tij të 200-të me fanellën e Cityt.

Festa e Agueros tek goli i parë (Getty Images)

Në pjesën e dytë, vazhdoi loja më e mirë e kampionit në fuqi të Ligës Premier, të cilët krijuan disa raste të mira për gol, por që arritën vetëm edhe një herë ta tundin atë.

Aguero shënoi edhe golin e dytë (Getty Images)

Përsëri ishte Aguero, i cili shënoi në minutën e 58-të për 2-0, pasi më parë u shërbye nga Bernardo Silva.

Ky gol i argjentinasit doli të jetë përfundimtar dhe në fund City fitoi me rezultat 2-0 finalen e Superkupës së Anglisë duke ngritur lart trofeun e parë sezonal disa ditë para fillimit të Ligës Premier. /Telegrafi/