Lirohen nga akuza për korrupsion Nexhat Çoçaj dhe Shaip Buduri

E publikuar: 27/02/2017 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
sh-Drejtori Komunal i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj dhe drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri, të hënën, janë liruar nga akuza për korrupsion.
Shpallja e aktgjykimit është bërë në Gjykatën Themelore në Prizren, nga trupi gjykues, i kryesuar prej gjyqtares Ajser Skenderi. “Të akuzuarit lirohen nga akuza në bazë të nenit 364, pika 1.3, të Kodit të Procedurës Penale, sepse nuk është arritur të provohet akuza” tha kryetarja e trupit gjykues, Skenderi.

Shaip Buduri dhe Nexhat Çoçaj akuzoheshin se kanë punësuar profesorin Besnik Krasniqi, në gjimnazin “Gjon Buzuku”, pa konkurs publik.

Sipas aktakuzës, Buduri duke qenë drejtor i shkollës në fjalë, kishte lejuar, profesorin Krasniqi, të japë mësim për pesë muaj, pa kontratë të punës.

Ndërsa Çoçaj akuzohej se ia ka lidhur Besnik Krasniqit, kontratën e punës në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk kishte shpallur konkurs publik për atë vend të punës.

Shaip Buduri, në maj 2016, pas përfundimit të gjykimit të parë, ishte dënuar nga kjo gjykatë me një vit burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër Nexhat Çoçaj ishte liruar nga akuza.

Por, Gjykata e Apelit, ka prishur një aktgjykim të tillë, me arsye se nuk është vërtetuar në tërësi gjendja faktike. Sipas Apelit, gjykata nuk ka arritur të arsyetojë përgjegjësinë e drejtorit të shkollës, Buduri, në punësimin e profesorit, pasi që punësimin e bënë DKA-ja.

Apeli, poashtu ka gjetur se nuk qëndron arsyetimi se drejtori i DKA-së, Çoçaj, ka lidhur kontratën në bazë të UA 08/14, pasi që lidhja e kontratës është bërë me 2 shkurt 2014, ndërsa UA ka hyrë në fuqi me 25 shkurt 2014. /betimiperdrejtesi/