Limaj: Thaçi e rrezikon edhe shtetin për interesa personale

E publikuar: 23/03/2017 00:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësi i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi është në gjendje të bëjë gjithçka, madje edhe të rrezikojë vendin vetëm për interesa personale.
Limaj ka thënë në KTV se Thaçi dëshiron të marrë poenë politikë dhe për këtë është në gjendje të sakrifikojë edhe miqësinë me SHBA-në e partnerët tjerë politikë ndërkombëtarë të Kosovës.

Duke thënë se Thaçit nuk duhet t’i besohet, ish-bashkëpartiaku i presidentit ka deklaruar se Thaçi me telefonatën që i ka bërë kryeministrit serb për Ushtrinë, para se të thërrasë kryeministrin kosovar ka bërë skandalin më të madh politik në vend.

“Ai është i gatshëm për interesa individual të bëjë gjithçka. Si ka mundësi presidenti i vendit ta thërrasë kryeministrin e Serbisë dhe jo të vendit tim. A ka veprim ma fyes e ma jokushtetues. Ky është skandali më i madh që ka ndodh në skenën politike. Është ofensivë diplomatike kundër vet vendit”, ka thënë ai.