Lideri i konfirmuar i LDK’së thotë se i eliminoi dallimet dhe i bëri të gjithë bashkë për fitore

E publikuar: 04/08/2019 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Isa Mustafa e ka pranuar se kishte dallime të mëdha se kush do të bëhej Shef i LDK’së. Prandaj, ka thënë se pranoi të bëhet Kryetar i Parisë së Rugovës për t’i eliminuar dallimet që ishin brenda LDK’së. Ka thënë se tash të bashkuar do të dalin fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Isa Mustafa e ka pranuar se ka mundur të jetë dikush tjetër në krye të LDK’së. Ka thënë se ka pasur njerëz të mrekullueshëm në Kuvendin e IX zgjedhor.

Por, e ka pranuar se emri i tij u votua për Kryetar të LDK’së për t’i bashkuar të gjithë.

Për herë të parë, Kryetari i konfirmuar i LDK’së, ka thënë se kishte dallime se kush do të ishte pasardhës i tij.

“Kuvendi ynë unifikoi diversittin tonë të mendimit dhe të veprimit, që emrues të përbashkët e ka programin tonë politik të qendrës së djathtë, dhe për më shumë e ka Kosovën tonë. Kuvendi na bashkoi të gjithëve. Të gjitha gjeneratat dhe të gjitha aspiratat. Kështu, bashkë, do të shkojmë drejtë fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashkë, s’ka kush që na del para!”, ka thënë Mustafa, një ditë pasi mori mandatin katërvjeçar të Kryetarit të LDK”së.

Ka thënë se në Kuvendin e Përgjithshëm kishte njerëz të mrekullueshëm.

“E konsideroj veten të nderuar me besimin që ma dhanë delegatët e Kuvendit. Këtë besim e meritojnë dhe e kanë merituar shume veprimtarë dhe veprimtare të LDK-së. LDK ka njerëz të mrekullueshëm. Besimin tuaj e konsideroj përgjegjësi ndaj gjithë juve”, ka shtuar ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në opozitë ndërsa ka numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin e Kosovës. Ka numrin më të madh të komunave nën udhëheqje. Ndërsa, në secilin sondazh del e para.

Isa Mustafa para se të bëhet Shef për herë të tretë i LDK’së ka mbajtur pozitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ka udhëhequr Kryeqytetin për dy mandate. Ka qenë pjesë e Kabinetit të ish-Presidentit Fatmir Sejdiu. Pasluftës ka qenë pjesë e Bordit të Universitetit të Prishtinës. Para luftës ka mbajtur pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë në Ekzil të udhëhequr nga Bujar Bukoshi. Ka pasur pozitë ekzekutivie edhe në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë përkatësisht në Komunë e Prishtinës.

Vitin e fundit, Mustafa është përballur me probleme shëndetësore, për çka po e vazhdon ende trajtimin në Gjermani.