Liberalizimi i vizave, vijnë sinjale pozitive nga Brukseli (Video)

E publikuar: 29/03/2015 20:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Jeni në miljen e fundit sa i përket liberalizimit të vizave”, kjo është fraza më e përsëritur e zyrtareve të lartë të Bashkimit Evropian për sa i përket heqjes se vizave për qytetarët e Kosovës.

Indiferent nuk po qëndrojnë as liderët vendor, të cilët nuk po hezitojnë të bëjnë premtime se ky proces do të përfundojë së shpejti. Kryeministri Isa Mustafa dhe zv/kryeministri i parë Hashim Thaçi, e kanë thënë  disa herë publikisht se presin qe liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij vit.

Por, më i përmbajtur për këtë proces duket të jetë ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku. Ai ka thënë se do ishte i lumtur nëse në verën e viti 2016, Kosova arrin të fitojë liberalizimin e vizave.

Sidoqoftë, njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, vlerësojnë se liberalizimi i vizave mund të ndodhë këtë vit, nëse Qeveria e Kosovës do të përkushtohej maksimalisht në plotësimin e kritereve qe dalin nga udhërrëfyesi.

Shef i Departamentit të Shkencave Politike, në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, ka thënë për Tribuna Channel, se fundi i vitit duhet të jetë afat optimal që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën shengen.

Megjithatë, sipas tij, çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët tashmë nuk është as natyre politike dhe as ekonomike. Madje, Hoti vlerëson se nuk është as çështje teknike siç e thonë në Bruksel, sepse sipas Hotit, kjo tashmë është konvertuar në çështje të dinjitetit.

E në anën tjetër, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Tribuna Channel, se gjasat janë të mëdha qe liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij vit. Por, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës, duhet ta kuptoj se liberalizimi i vizave nuk mund të vijë vetëm si shpërblim i BE-së, sikurse nuk mund të vijë si përgjigje nda valës së madhe të migrimit të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.