Lavdim Rexhepi i ATK-së u arrestua në flagrancë për ryshfet prej 350 eurosh

E publikuar: 24/11/2018 10:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektori i ATK-së, Lavdim Rexhepi, i cili u arrestua dje për marrje ryshfeti në flagrancë, i kishte kërkuar një pronareje biznesi 350 euro.

Detajet i jep sot në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës. Arrestimi ka ndodhur saktësisht në orën 18:30.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar – Inspektor Tatimor në ATK, pasi që i njëjti kishte kërkuar nga një pronare e biznesit – ankuesja femër shqiptare 350 € para, me qëllim të zvogëlimit të borxhit ndaj ATK-së”, thuhet në raportin e PK-së, përcjell Koha.net. “Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet më tej aty.

Koha Ditore merr vesh se fjala është për Lavdim Rexhepin.

Arrestimin e zyrtarit të ATK-së, e ka konfirmuar mbrëmë për Koha.net edhe Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës. Ai ka thënë se “hetues të Policisë së Kosovës (DHKEK) nga Njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë gjatë angazhimeve të tyre hetimore dhe operacionale në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore kanë arrestuar një përson të dyshuar inspektor në ATK, me iniciale (L.R.) nën dyshimin se ka ‘keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar’”.

Sipas Hoxhës, hetuesit policorë nga Njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit me Urdhëresë të PTH-Prishtinë, me aplikimin e masave të fshehta, të cilat masa janë zbatuar sot, kanë rezultuar me kapjen në flagrancë të dyshuarit në kryerje të veprës penale.

“Pas përfundimit të të gjitha veprimeve të parapara në bazë të planit operativ, i dyshuari është intervistuar në cilësi të të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me Vendim mbi ndalimin është dërguar në mbajtje prej 48 orëve”, ka thënë mbrëmë Hoxha.

Në bazë të Kodit Penal, neni 422 që rregullon Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, Rexhepi rrezikon 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

“Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në këtë pikë.