Kush deshi ta “vriste” Donald Trumpin, të shtunën mbrëma?

E publikuar: 06/11/2016 16:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Cleveland, Ohio, 6 nëntor – Donald Trump ishte duke folur për atë që e quante mbështetje e fuqishme nga komuniteti hispanik për të. Papritmas, ai u ndal.

Një hallakamë po shkonte përballë tij, në radhët e para të simpatizantëve të tij, të tubuar në Reno të Nevadas, të shtunën mbrëma. Njëri nga ta, që nuk është se e pëlqente shumë këtë kandidat të republikanëve për president, po tentonte të bënte diçka.

Trump, e vuri dorën mbi sy, si në rastet kur drita të pengon.

“Oh, këtu e kemi një nga ata djemtë nga fushata e Hillary Clinton”, tha ai, duke e drejtuar me pas gishtin kah mosmbështetësi i tij.

Kandidati për president deshi të bëjë pak muhabet me të.

“Sa para je paguar për të ardhur këtu, 1 mijë e 500 dollarë?”, tha ai. “Në rregull, largojeni atë”.

Por, burri që nxori telashe nuk u largua sakaq. Para tij ishte vetë Trump që u tërhoq nga skena. Dikush, në këto momente, kishte bërtitur duke përmendur fjalën “armë”. Shërbimi sekret e bëri punën e vetë, duke mbuluar me të shpejt Trumpin dhe duke e dërguar në një vend të sigurt, larg hallakamës.

Poshtë vendit ku po fliste ai, shumë njerëz ishin hedhur mbi personin problematik, që u arrestua shpejt nga sigurimi sekret dhe policia.

Sapo u qetësua situata, pas rreth dhjetë minutave, Trump është kthyer në skenë.

“Askush nga ne nuk ka thënë se do ta kemi lehtë, por ne nuk do të ndalemi kurrë”, tha ai.

Ky veprim është parë si trimëror nga i biri, Donald Trump Junior. Ai e ka quajtur këtë që ndodhi në Reno si tentim atentati. Madje, Juniori e ka shfrytëzuar këtë rast, për të thumbuar rivalen e babait të tij, Hillary Clinton. Kjo, e kishte ndërprerë një takim të saj në Florida, për shkak të shiut.

“Hillary iku sot nga shiu. Trump u kthye në skenë pas një tentim atentati”, ka shkruar ai në twiter, ndërsa që ka patur edhe një porosi për rivalët e babait të tij. “Stop dhunës së demokratëve!”.

Se kjo që ndodhi në Reno ishte tentim për vrasje, e tha edhe njeriu që hapi tubimin e Trump këtu, pastori Andre Mahhana. Madje, ai e di kush e nxiti këtë rast.

“Mendoj që dhuna të cilën e kanë nxitur mediet ndaj tij (Trump) ka bërë që sot të ketë një tentim për vrasjen e tij”, tha ai, pasi që tubimi ka përfunduar.

Megjithatë, Shërbimi Sekret i Amerikës ka reaguar shpejt, për të sqaruar gjithçka.

“Pas një hetimi të thellë të subjektit dhe hapësirës rrethuese, nuk është gjetur asnjë armë”, është thënë në një kumtesë të këtij mekanizmi.

Se nuk pati armë e ka thënë edhe i dyshuari. Ai është identifikuar si Austyn Crites, një 33 vjeçar, i vetëdeklaruar si republikan, por jo mbështetës i Trump.

Ai ka treguar se çfarë ka ndodhur.

“Unë thjesht desha ta tregojë një shenjë që thotë ‘Republikanët kundër Trump’. E ngrita atë lart dhe njerëzit filluan të bërtasin”, tha ai. “Filluan të më sulmojnë, të ma marrin shenjën dhe pastaj dikush bërtiti “armë, armë”.

Crites tha se nuk kishte armë dhe se kishte vuajtur shumë në ato momente.

“Kishte njerëz që po ma shtrëngonin qafën. Për pak sa nuk më mbytën nga ngulfatja”, tha ai. “Më shumë se ajo që më ndodhi, më dhemb fakti se ky komb mund ta zgjedh atë (Trumpin) president. Unë do të jemi mirë, por nuk e di nëse vendi do të jetë mirë”, njofton Klan Kosova.

Fushata e dy kandidatëve që garojnë për president të Amerikës ka kaluar pa ndonjë problem të madh lidhur me sigurinë e tyre.