Kusari-Lila e quan të lodhët vendimin e qeverisë për produktet serbe

E publikuar: 06/11/2018 20:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për për vendosjen e masës mbrojtëse prej 10% për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kryetarja e Alternativës, që vite me parë ka drejtuar edhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, këtë veprim të kryeministrit Haradinaj e ka quajtur të lodhët. “Përpjekje e lodhët e Qeverisë Haradinaj. Kryeministër, provo diçka tjetër se kjo masë nuk do të dhez askund”, ka shkruar ajo.
Kusari-Lila po ashtu ka thënë se nga ky vendim tash do të rriten edhe çmimet e produkteve në Kosovë.

“Me vendosjen e masës 10% nga ana e Kosovës, Serbia dhe kompanitë serbe nuk do ta ndiejnë sanksionin e qeverisë së Kosovës. Shumica e kompanive serbe tashmë kanë stoqe në Kosovë, ndërsa rritjen e çmimit prej 10% kur stoqet të mbarojnë, do ta paguajë konsumatori Kosovar me rritje 10%. Me fjalë tjera, Qeveria e Kosovës me këtë masë e ndëshkon qytetarin e Kosovës”.

Postimi i plotë i Kusari-Lilës:

Qeveria pa Guxim dhe pa interes për Ndëshkim ndaj Serbisë – hedh hi syve të popullit

Qeveria e Republikës së Kosovës sot mori vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse prej 10% për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ky vendim u tha nga Kryeministri Haradinaj se: “u morr si sanksion ndaj sjelljeve armiqësore që ka shteti serb ndaj Kosovës”. Nga ky vendim janë të përjashtuara brendet ndërkombtare që prodhohen në Serbi.

Se Serbia meriton masa ndëshkuese për sjelljen e saj, tashmë është lajm i vjetër, por të paktën Qeveria e Kosovës të kishte guxim dhe vendosmëri e edhe pak shumë logjike ekonomike të bënte këtë veprim si duhet.

Mashtrimi 1. Me vendosjen e masës 10% nga ana e Kosovës, Serbia dhe kompanitë serbe nuk do ta ndiejnë sanksionin e qeverisë së Kosovës. Shumica e kompanive serbe tashmë kanë stoqe në Kosovë, ndërsa rritjen e çmimit prej 10% kur stoqet të mbarojnë, do ta paguajë konsumatori Kosovar me rritje 10%.

Me fjalë tjera, Qeveria e Kosovës me këtë masë e ndëshkon qytetarin e Kosovës.

Mashtrimi 2. Përjashtimi i produkteve të kompanive ndërkombëtare në Serbi.

Në vitin 2011 masa ndëshkuese për Serbinë ishte mbyllja e kufirit për produktet serbe, pa marrë parasysh origjininën e kapitalit të kompanive, POR, origjinën e mallit.

Dëmi Serbisë i bëhet kur kompanitë e huaja ikin nga Serbia se nuk është vend i sigurtë për të operuar, sikur ndodhi me disa kompani të cilat si rezultat i masave të reciprocitetit të vendosura nga Kosova në 2011-ten u zhvendosën në Maqedoni .

Nëse Qeveria e ka seriozisht masën ndëshkuese për Serbinë, le ta bëj sikur e bëra unë në 2011-ten. Ta mbyll kufirin në tërësi për produktet Serbe, pa përjashtim dhe pa frikë. Serbia dhe Bosnja do të jenë ato që do të kërkojnë bisedime dhe marrëveshje nga presioni që do të ju vie atyre nga kompanitë e tyre.

Apo Qeveria e vuri këtë masë në mungesë guximi për sanksion të mirëfilltë ndaj Serbisë dhe për konsum të politikës ditore.

Mashtrimi 3. Natyrisht se nuk është në interest ë Kryeministrit Haradinaj dhe qeverisë së tij të ndëshkojë kompanitë dhe produktet serbe, duke e ditur se mbështetësit dhe njërzit më të afërt të tij, janë ose përfaqësues ose afarojnë me kompanitë serbe.

Përpjekje e lodhët e Qeverisë Haradinaj. Kryeministër, provo diçka tjetër se kjo masë nuk do të dhez askund.