Kurti po heq dorë, ideja për Bashkim Kombëtar momentalisht e paarritshme

E publikuar: 19/11/2019 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka shumë vite që në Kosovë është përhapur ideja e Bashkimit Kombëtar.

Në Kosovë për shumë vite me radhë është duke u diskutuar për Bashkimin Kombëtar me Shqipërinë.

Një ide e tillë më së shumti u forcua nga Lëvizja Vetëvendosje, e në veçanti lideri i saj, Albin Kurti, i cili kishte thënë se kur të arrijë në pushtet do ta bëj realitet këtë ide.

Por pikërisht për këtë ide, Kurti kohëve të fundit ka ndërruar qëndrim.

Në një intervistë të dhënë për “Tv Klan”, në Shqipëri në muajin tetor, Kurti kishte thënë se Bashkimi Kombëtar, ka qenë i arritshëm në vitet e ’90-ta.

“Ky bashkim të cilin e kemi dëshiruar ka qenë i mundur të bëhej përnjëherë i shqiptarëve atëherë kur u shkatërrua Jugosllavia në 1991-92, po të ishte një konstalacion tjetër në mënyrë metaforike i tri personaliteteve, Sali Berisha, Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia. Nëse do të mund të bëhej bashkimi i shqiptarëve shansi historik ka qenë 1991, 1991, 1992. Shkatërrimi i Jugosllavisë u bë me luftë. Po të ishin Shqipëria dhe Kosova bashkë, në koordinim me mërgatën dhe Bosnjës dhe Kroacinë, ai ka qenë shansi historik i një shteti shqiptar. Sot e kemi shtetin e Kosovës. Duhet të bëjmë hapa të integrimit drejt bashkimit. Kemi përfitues të kësaj gjendje në të dyja anët e kufirit, njerëz që i duan trojet shqiptare si principata të tyre”, kishte deklaruar Kurti në këtë intervistë.

Por njohës të çështjeve politike në Kosovë, idenë e Bashkimit Kombëtar, e shohin si të paarritshme momentalisht.

Sipas tyre, kjo nuk mund të bëhet në një kohë të shkurtër pasi që nuk është një akt, por është një proces.

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka thënë për lajmi.net, se është e kotë të flitet për Bashkim Kombëtar, derisa nuk është duke u bërë asgjë në këtë drejtim.

“Ideja e Kurtit është e parealizueshme ku në afatshkurtër në kuptimin që ky nuk është një akt, por do të duhej të ishte një proces. Do me thënë është e kotë të flitet për bashkim kombëtar ndërkohë që nuk bën asnjë veprim në drejtim të kësaj. Paramendojeni gjatë gjithë kësaj kohe është folur për bashkim kombëtar ndërkohë që janë realizuar shumë, shumë pak prej marrëveshjeve të arritura nga mbledhjet e dy qeverive”, theksoi Mushkolaj.

Ai po ashtu deklaroi se Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të përballen me probleme banale dhe se politikanët nuk janë duke bërë asgjë për bashkim.

“Ndërkohë që vazhdojmë me pas probleme edhe banale në raportet Kosovë-Shqipëri. Ndërkohë që elitat politike të dyja vendeve nuk janë të interesuara që ta çojnë këtë bashkëpunim më tej. Pra në këtë logjikë edhe ideja për bashkim kombëtar është më shumë një ide për përfitime politike se sa që përnjëmend qëndron për shkak se ato që këta njerëz e quajnë bashkim kombëtar do të duhej të ishte një arritje logjike e një bashkëpunimi disa vjeçar, pra një përfundim logjik e jo në vetvete një akt që dikund gabimisht mund ta konsideroj si të arritshëm”, deklaroi Mushkolaj.

Edhe Blerim Burjani, analist politik, ka thënë për lajmi.net, se ideja e Bashkimit Kombëtar, është çështje e së ardhmes dhe jo e tashmes.

“Jo Vetëvendosje dhe Kruti kaherë janë nxjerr nga vëmendja publike në këtë temë. Kjo çështje mbetet për të ardhmen që nuk dihet se si do të zhvillohen rrethanat ballkanike, kjo ide nuk varet nga asnjë parti politike në Kosovë, por varet nga konstalacioni i zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë Burjani, i cili shtoi se në këtë çështje askush nuk mund të fitojë poenë politik.

Sipas tij, arsyeja pse nuk është e arritshme momentalisht ideja, është për shkak të çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Burjani thotë se aventurat e tilla për Bashkim Kombëtar, nuk i dëshiron as Bashkimi Evropian e as Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Momentalisht Shqipëria e dëshiron integrimin në BE dhe shumë pak është e interesuar të hap këtë temë në rajon dhe në BE dhe në globalitet të zhvillimeve ndërkombëtare për shkak se mund të stagnoj procesin e integrimit në BE. Kurse Kosova gjendet në pozitë tjetër plotësisht të kundërt me Shqipërinë, kërkon rrugëtimin e ngjashëm si të Shqipërisë në BE dhe në NATO. Çështja e bashkimit është çështje e së ardhmes, por jo e tashmes. Bazuar në të gjitha zhvillimet aktuale edhe Vetëvendosje nuk është fare e zëshme në këtë temë, por edhe të jetë është thjesht marketing dhe humbje kohe bazuar në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare. Aventurat e tilla nuk i dëshiron BE dhe as SHBA në këtë kohë, pra në pyetje është konteksti kohor”, vlerësoi Burjani.

Duhet theksuar se fillimi i mbajtjeve të mbledhjeve të qeverive të përbashkëta në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ishte parë si një hap drejt idesë së bashkimit.

Ndryshe më 11 janar të vitit 2014 ishte mbajtur për herë të parë mbledhja e përbashkët e dy Qeverive në Prizren ku edhe u arritën marrëveshje të ndryshme për të vazhduar më pas edhe me mbledhje të tjera të përbashkëta.

Mbledhja e fundit e dy qeverive u mbajt më 26 tetor të vitit 2018 në qytetin e Pejës, dy ditë para Ditës së Flamurit, ku edhe në këtë mbledhje u nënshkruan shumë marrëveshje. /Lajmi.net/