Kurti për “non-papers”: U përgjigjem me “No comment”, nuk lejojmë bosnjëzimin e Kosovës

E publikuar: 28/04/2021 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të gjithë “non-papers” duhet t’u përgjigjen me “No comment”, kjo pasi sipas tij përmes përgjigjeve janë duke u përpjekur të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihen autorët dhe e as synimet.

“Unë besoj që të gjithë këtyre “non-papers” më së miri është t’u përgjigjemi me “No Comment”, përshkak se sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihet autori dhe e as synimet. Por pasojat nuk mund të jenë të mira, nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës”.

Ai në një konferencë para media, jashtë selisë së Komisionit Evropian në Bruksel, ka deklaruar se Kosova nuk ka dilema ku BE-ja dhe NATO-ja janë vlera dhe destinim për të.

“Kosova nuk e ka shpallur pavarësinë vitin e kaluar, por para 13 vjetëve. Katër vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka qenë pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Duhet të shkojmë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Kosova nuk ka dilema. BE-ja dhe NATO-ja janë edhe vlera, edhe destinimi ynë. Por në të njëjtën kohë raportet në Ballkan do të mund t’i rregullojmë vetëm me dialog parimor e të përgatitur mirë, ku Kosova është palë e jo thjesht temë dhe gjithashtu me barazi qysh në pikënisje”.

“Jemi të bindur se vetëm dialogu ku qytetarët janë përfitues është dialog i vërtetë dhe i dobishëm që sjell marrëveshje të qëndrueshme dhe të zbatueshme e jo mënyrat e vjetra ku preokupimi kryesor është se si t’i shpëtohet lëkura një politikani apo fytyra një politikani tjetër”, ka thënë Kurti, njofton Klan Kosova.