Kurdët e Irakut përgatiten për referendimin e pavarësisë

E publikuar: 18/09/2017 19:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria Rajonale gjysmë autonome e Kurdistanit nuk pranoi të heqë dorë nga organizimi i një referendumi për pavarësi nga Iraku më 25 shtator, megjithë thirrjet e fuqive rajonale dhe vendeve perëndimore për shtyrjen e votimit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock njofton nga Irbili, kryeqyteti i Rajonit të Kurdistanit në Irak.

Kurdistani është një rajon etnik, gjuhësor dhe kulturor që u nda nga fuqitë koloniale evropiane në fillim të shekullit të 20-të. Ky rajon tani shtrihet brenda kufijve të Sirisë, Turqisë, Irakut dhe Iranit.

Në rajonin e Kurdistanit që ndodhet brenda kufijve të Irakut, banorët thonë se ata meritojnë të kenë shtetin e tyre.

“Unë mendoj se njerëzit të cilët kanë një gjuhë, fe dhe histori të përbashkët kanë të drejtë të mbajnë një referendum për pavarësi dhe të shpallin shtetin e tyre”, thotë Saman Sadqb, banor i Irbilit.

Presioni ndërkombëtar për shtyrjen ose anulimin e referendumit është duke u rritur. Fuqitë perëndimore kanë frikë se mbajtja e referendumit tani do të tërhiqte vëmendjen nga lufta kundër militantëve të Shtetit Islamik. Disa fuqi rajonale, si Turqia, e konsiderojnë atë një kërcënim të drejtpërdrejtë që mund të ushqejë grupet separatiste kurde brenda kufijve të saj.

Kundërshtarët në vend thonë se referendumi është caktuar për një kohë të papërshtatshme dhe mund të çojë në konflikte të brendshme.

“Sipas analizave politike dhe madje edhe asaj që kanë thënë Forcat e Moblizuara Popullore të Irakut, mund të ketë konflikte rreth zonave të debatueshme mbi të cilat kanë pretendime Bagdadi dhe Irbili”, thotë Karzan Gardi i Partisë Gorran.

Në rajonin e Kurdistanit në Irak, mbështetësit thonë se përfitimi nga shpallja e pavarësisë në aspektin afat-gjatë mund jetë më i madh se sa rreziku që mund të paraqes tani.

“Pas referendumit dhe shpalljes së pavarësisë, ekonomia jonë do të përmirësohet. Ne do të bëjmë marrëveshje formale tregtare me mbarë botën ashtu si çdo vend tjetër“, thotë Ari Nanakali i Partisë Demokratike të Kurdistanit.

Udhëheqësit kurdë në të kaluarën kanë shprehur gatishmëri për shtyerjen e referendumit, nëse komuniteti ndërkombëtar do të ofronte siguri për përkrahjen e pavarësisë në të ardhmen; por, shumë votuesë këtu thonë se nuk duan të presin.