Ymeri: Takimi Kurti-Krasniqi i hap rrugë zgjedhjeve, e gabuar mënyra përmes shpërbërjes së Kuvendit

E publikuar: 14/05/2024 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
visar ymeri

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë për Ekonomia Online se takimi i mbrëmshëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i ka hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Teksa ka folur për gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të shkuar në zgjedhje, Ymeri kërkon të precizohet saktë mënyra e shkuarjes në zgjedhje.

Ai e sheh të gabuar shpërbërjen e Kuvendit, pasi sipas tij në këtë mënyrë dështimet e Qeverisë Kurti iu faturon ligjvënësve, gjë që e mendon të kundërtën.

“Unë mendoj që takimi i mbrëmshëm praktikisht e ka bërë një dimension të ri në politikë sepse tash do të flasim për zgjedhje për çdo herë e më shumë. Pra takimi i mbrëmshëm pak a shumë ishte rruga drejt zgjedhjeve. Unë mendoj që është gabim që të shkohet në zgjedhje dhe është gabim veçanërisht që cila do prej partive opozitare që t’ia ndihmojë këtë vullnet të Kurtit që të shkohet në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, sepse mendoj që kur shkohet në zgjedhje të parakohshme jo vetëm këtë radhë por secilën radhë, duhet me u diskutua përse po shkojmë në zgjedhje të parakohshme apo cilat janë ato arsyet që po na shtyjnë me shku në zgjedhje të parakohshme dhe tash nëse ka një arsye janë dështimet e mëdha të cilat i ka pasur kjo Qeveri, thuajse në secilën rrafsh; mosdija, mosvullneti e kështu më radhë e të mos flasim pastaj për arenën ndërkombëtare e tash së fundmi edhe problemet që po i kemi me një rrugë e cila dukej të jetë e sigurt ajo për Këshillin e Evropës dhe gjitha këto mendoj që janë përgjegjësi që duhet t’i faturohen kryeministrit Kurti dhe nëse opozita mendon që këto janë dështime, atëherë natyrisht që do të kërkojnë qoftë dorëheqjen ose rrëzimin e tij nga posti i kryeministrit dhe jo shpërndarjen e Kuvendit. Pra nuk mund t’ia mveshim përgjegjësinë Kuvendit për dështimet që kanë qenë në qeverisje dhe në këtë drejtim konsideroj që kjo është e rëndësishme”.

“E dyta nëse shkojmë në zgjedhje tre, katër ose pesë muaj sa kanë mbetur deri në fund të mandatit, çfarë po synojmë të arrijmë. Pra nëse dikush mua më thotë se duhet ta ndalim këtë Qeveri për shkak të këtyre dëmeve që po shkakton Kosovës, gjë që është e vërtetë që po ia shkakton, atëherë a është e mjaftueshme që ta ndalim këtë Qeveri pesë muaj para mandatit. Po të kishim qenë në vitin e dytë të mandatit edhe do të mund të kishte kuptim”, u shpreh Ymeri.

Refuzimin e LDK-së dhe AAK-së për takimin e mbrëmshëm, Ymeri e sheh të drejtë, pasi tema e diskutuar në këtë darkë agjenda legjislative, e cila bie në domenin e shefave të grupeve parlamentare në Kryesinë e Kuvendit.

“Unë mendoj që mënyra se i është transmetuar në publik ftesa për takimin e mbrëmshëm, unë mendoj që plotësisht kanë pasur të drejtë dy partitë politike, të cilat kanë refuzuar sepse aty janë thirr për të diskutuar agjendën legjislative. Natyrisht edhe kjo është gjë e rëndësishme që duhej diskutuar por ne kemi disa gjëra shumë më të rëndësishme për të cilat kryeministri kurrë nuk e ka parë të udhës që të diskutojë me partitë opozitare”, ka deklaruar Ymeri, teksa kritikon Kurtin edhe për mosdakordimin me liderët opozitarë për tema më madhore.

“Për shembull kurrë kryeministri nuk i ka i ka thirr para pranimit të marrëveshjes së Brukselit partitë opozitare në konsultë, kurrë nuk i ka thirr për të diskutuar draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pra këto kanë qenë zhvillime jashtëzakonisht të rëndësishme të cilat tash i janë bërë Kosovës obligime ndërkombëtare, meqë e ka pranuar kryeministri Kurti marrëveshjen, dhe për këto nuk është konsultuar me liderët opozitarë, që unë mendoj që është dashur të konsultohet. Përkundrazi, gjatë gjithë kësaj kohe, e veçanërisht në momentet shumë të rëndësishme, kryeministri Kurti përmes partisë së tij kanë publikuar video edhe akuza e fyerje të jashtëzakonshme karshi liderëve të opozitës dhe mendoj që këtu duhet të marrë përgjegjësi”, deklaroi Ymeri.