Kukësi mposht Torpedon, por eliminohet nga Liga e Evropës për vetëm një gol

E publikuar: 16/08/2018 21:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kukësi ka fituar në shtëpi ndaj gjeorgjianëve të Torpedos me rezultat 2-0, por kjo nuk i ka mjaftuar për të kaluar tutje në Ligën e Evropës.

Skuadra shqiptare është treguar e fortë në ndeshjen kthyese, duke e mposhtur kampionin në fuqi të Gjeorgjisë.

Por, kjo fitore nuk i ka mjaftuar veriorëve të Shqipërisë, pasi janë eliminuar nga garat e Ligës së Evropës me rezultat përfundimtar 5-4.

Kjo pasi në ndeshjen e parë të zhvilluar në udhëtim skuadra e trajnerit Armando Cungu u mposht thellë 5-2 dhe mbeti peng i vetëm një goli.

Ndeshja e zhvilluar në Elbasan Arena i takoi në përgjithësi kuksianeve, të cilët ishin më të mirë në të dy pjesën e ndeshjes, duke shënuar nga një gol.

Pjesa e parë u karakterizua me disa raste të mira të skuadrës shqiptare, por të cilët arritën të shënojnë vetëm në nga penalltia.

Ishte sulmuesi nga Mozambiku, Reginaldo, i cili ishte i saktë në minutën e 29-të për 1-0.

Në pjesën e dytë përsëri ishin vendasit të cilët dominuan, por që përsëri u desh të shënojnë gol nga pika e bardhë me anë të Reginaldos (75′), i cili vulosi rezultatin përfundimtar 2-0. /Telegrafi/