KShC pret zëvendësimin e anëtarëve të dorëhequr

E publikuar: 05/02/2021 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dorëheqjet e fundit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë nuk kanë ndikim në mbarëvajtjen e punëve të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA).

Kështu njoftoi AKA që iu drejtua me një sqarim të gjitha institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës se Agjencia vazhdon procesin e vlerësimit të akreditimit institucional dhe të programeve akademike.

“Dorëheqjet e fundit nga KShC-ja, për fazën aktuale, nuk kanë ndikim në mbarëvajtjen e punëve të Agjencisë së Akreditimit”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Kosovës për Akreditim shpreson që institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, konform kornizës ligjore, do të kontribuojnë në plotësimin e vendeve të parapara për anëtarë ndërkombëtare të KShC-së, me çka do të kthehet edhe funksionaliteti i plotë i KShC-së.

“Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe anëtarët e KShC-ës, i falënderojnë institucionet vendore e ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, për përkrahjen e vazhdueshme që po japin në funksion të garantimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe në plotësimin e kritereve për kthimin e Kosovës në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, përfundon njoftimi.

Gjatë ditës së enjte u njoftua se kryetari, nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë kanë dhënë dorëheqje nga ky këshill, duke e lënë këtë institucion vetëm me katër anëtarë.

Pas këtyre dorëheqje, ka reaguar edhe ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.

Ai tha se ndihet i befasuar me këto dorëheqje dhe se nuk ka qenë në dijeni për arsyet arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë.

“Më lejoni të theksoj se, unë si Ministër, jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë. Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata”, thuhet në reagimin e ministrit.