Kryeministri Haradinaj: Kosova po e ndërton arkitekturën e saj të sigurisë

E publikuar: 22/10/2018 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Tranzicioni i FSK-së po tregon rrugën e qartë dhe angazhimin e Kosovës drejt konsolidimit të shtetësisë, konsolidimit të arkitekturës së Sigurisë Kombëtare, si dhe kontributin rajonal për stabilitet dhe siguri”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ligjëratës së tij, para studentëve në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK).

Në fjalën e tij hyrëse para studentëve të pranishëm, ku ishin edhe Presidentja e këtij Universiteti, Sharon Hart, stafi, dhe kadetët e FSK-së, Kryeministri Haradinaj shpjegoi fazat e transformimit të FSK-së në ushtri, duke thënë se vendimi sovran së bashku me konsultimet gjithëpërfshirëse çuan në suksesin e procedimit të tri ligjeve mbi tranzicionin e FSK-së.

“Ishte një proces, jo një vendim i izoluar. Ky proces transparent e përgatitë Kosovën për rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe i hapë rrugë që të kontribuojë më tej drejt paqes dhe stabilitetit nëpërmjet Operacioneve të Mbajtjes së Paqes”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj u shpreh i bindur se Kosova do të bashkohet me NATO-n në vitet e ardhshme dhe prania e Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë është e mirëpritur përgjithmonë, duke besuar se anëtarësimi në NATO për të gjitha vendet e rajonit është alternativa më e mirë drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

“Jo vetëm Kosova, por edhe rajoni ynë do të përfitojnë nga tranzicioni i FSK-së, pasi zhvillimi i një ushtrie të vogël multietnike dhe profesionale do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, ajo shmang mundësinë e ndonjë vakuumi të sigurisë në Kosovë dhe kontribuon në përafrimin e vendit tonë me vlerat euroatlantike, lehtëson kalimin e Republikës sonë nga një konsumator i sigurisë tek një ofrues i saj, duke i përfaqësuar dhe mbështetur të gjitha komunitetet e Kosovës, lejon angazhim më të madh dhe bashkëpunim me KFOR-in dhe NATO-n, por edhe forcon ekonominë tonë. Kjo iniciativë do të krijojë 2500 vende të reja pune”, deklaroi Kryeministri Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë të interesuar për ligjëratën e sotme, Kryeministri Haradinaj, shtoi se FSK pasqyron të vërtetën mbi Kosovën, është shtëpia e të gjitha komuniteteve, forcë profesionale, multietnike dhe e gatshme, e ndërtuar dhe trajnuar nën mbikëqyrjen e NATO-s që nga themelimi i saj.

Për kontributin e madh në këtë çështje, Kryeministri Haradinaj falënderoi SHBA-në për trajnimin, arsimin dhe zhvillimin profesional të FSK-së, duke shtuar se FSK-ja perceptohet si institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend gjatë gjashtë vjetëve të fundit.

Në përfundim të ligjëratës së tij, Kryeministri Haradinaj, foli edhe për orientimin aktual dhe të ardhshëm të FSK-së, e që siç tha ai, FSK-ja është një forcë e besueshme, përfaqësuese dhe e gatshme dhe se për të ruajtur këtë nivel të profesionalizmit, ajo duhet të vazhdojë dhe të rrisë bashkëpunimin e saj me SHBA dhe NATO.

“Ndërtimi i FSK-së dhe tranzicioni i saj, është jetësor për të vazhduar zhvillimin e bazuar në standardet e SHBA-së dhe NATO-s në Doktrinën, Udhëheqjen, Sistemin e Armëve dhe Pajisjet”, vlerësoi Kryeministri Haradinaj, duke thënë se ndërtimi i kapaciteteve të plota do të zgjasë rreth 10 vjet dhe do të ndahet në tri faza.

Duke folur rreth mandatit dhe tri projektligjeve për FSK-në, Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ligji për Shërbimin e FSK-së, Kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të respektojë plotësisht mandatin e misionit të KFOR-it, ndërsa FSK-ja do të vazhdojë të mbetet një institucion partner në KFOR./Infosot/