Kryeministri grek Tsipras viziton Maqedoninë e Veriut

E publikuar: 02/04/2019 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka mbërritur të martën në Shkup në vizitën e parë të një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut, që nga pavarësia e saj në vitin 1991 prej kur edhe ishte hapur problemi lidhur me emrin.

Vizita e kreut të qeverisë greke pason ratifikimin e marrëveshjes mes dy vendeve për zgjidhjen e këtij si dhe protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar për emrin ishte nënshkruar më 17 qershor 2018 në Prespë, me çka Maqedonia ka ndërruar emrin në Maqedonia e Veriut ndërsa veç kësaj Shkupi me këtë marrëveshje ka pranuar se maqedonasit e sotëm nuk kanë asgjë të përbashkët me maqedonasit antik, sikur edhe gjuha maqedonase e cila në marrëveshje thuhet se i takon grupit të gjuhëve sllave.

Kryeministrit Aleksis Tsipras në Shkup i është organizuar pritje me nderime të larta shtetërore e ushtarake ndërsa mbrëmjen e së hënës, para ndërtesës së qeverisë është vendosur edhe mbishkrimi i ri me emrin “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut” në maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Përveç me kryeministrin, Zoran Zaev, Tsipras takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe përfaqësues tjerë qeveritar. Në agjendën e takimeve nuk bën pjesë presidenti Gjorge Ivanov, i cili kundërshton publikisht marrëveshjen me Greqinë për emrin.

Para se të arrij në Shkup, kryeministri grek, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, ka thënë se nga Marrëveshja e Prespës fitojnë dy shtetet, por jo edhe forcat nacionaliste, të cilat, sipas tij, kanë për qëllim kthimin e rajonit në kohërat e errëta.

“Përgjegjësia e jonë, e imja dhe e Zoranit është që të dëshmojmë se popujt tanë mund vetëm se të përfitojnë nga rruga që është hapur. Gjithashtu, përgjegjësia jonë është që ti përgjigjemi forcave nacionaliste që në botën e sotme po forcohen dhe synimin për të na kthyer në kohërat errëta.

Kryeministri grek është i bindur në të ardhmen e mirë të dy shteteve, si aletë strategjik dhe partner që gjatë vizitës do të vendosen themelet e një bashkëpunimi të frytshëm.

“Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë partnerë dhe aleatë. Veç kësaj, rezultati i Marrëveshjes së Prespës nuk ka të bëjë vetëm me zgjidhjen e kontestit të emrit dhe hapjen e perspektivës euroatlantike për Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja ka vendosur themelet për raporte të fuqishme dypalëshe që parashohin bashkëpunim si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë evropian e ndërkombëtar”, ka deklaruar Cipras.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, vizitën e kryeministrit të Greqisë e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme dhe si dëshmi se dy vendet janë të përcaktuar për të lënë pas të kaluarën me tensione e mospajtime dhe ndërtimin e një perspektive të mirë për dy vendet.

Zaev ka thënë se me kryeministrin grek do të diskutojnë rreth 30 cështje në sfera të ndryshme të bashkëpunimit.

Kryeministri grek në Shkup ka arritur së bashku me një grup të madh të afaristëve grek pasi në kuadër të vizitës një ditore është paraparë të zhvillohet edhe një forum i biznesit mes dy vendeve.