Kriptomonedha e Facebook më pranë realitetit

E publikuar: 03/05/2019 09:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Facebookcoin, apo quajeni si të doni, po i afrohet realitetit. Pas raportimeve të kaluara, Wall Street Journal ditën e sotme tha se rrjeti social Facebook ka hyrë në bisedime me disa grupe financiare rreth iniciativës super sekrete të kriptomonedhës e cila ka emrin e koduar “Projekti Libra.”

Sipas WSJ, Facebook e sheh projektin si një mënyrë për tu përfshirë edhe më tepër në jetët e përdoruesve të saj. Kjo monedhë do të përdoret në rrjetin social dhe në internet po me aq lehtësi sa përdoruesit shfrytëzojnë kredencialet e tyre të Facebook për tu kyçur nëpër uebsajte dhe shërbime.

Facebook gjithashtu ka planifikuar të integrojë monedhën edhe tek biznes i reklamave. Një ide është që kur përdoruesit klikojnë një reklamë për të blerë një produkt mund të paguajnë me kriptomonedhën e Facebook e cila shkon për distributorin. Ky i fundit në këmbim do të marrë më shumë reklama nga Facebook.

Sipas WSJ Facebook është takuar me Visa, MasterCard dhe firma të tjera financiare për të siguruar një investim prej 1 miliardë dollarësh i cili do të shërbejë për të mbrojtur vlerën e monedhës dhe nga luhatja e kriptomonedhave të tjera.

Ishte Bloomberg që raportoi i pari në Dhjetor se Facebook ishte duke zhvilluar një kriptomonedhë për WhatsApp. Në Janar ekzekutivi Zuckerberg tha se ishte i interesuar të hynte më në thellësi të këtij projekti. /PCWorld Albanian