Krasniqi: Mustafa nuk ka ditur të marrë asnjë vendim të madh

E publikuar: 23/04/2017 18:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit Isa Mustafa, që ka thënë se thirrjet për zgjedhje të reja po rrezikojnë liberalizimin, ushtrinë dhe investimet.

E ka ndryshuar shprehjen burimore popullore, por ka thënë se “mos me të folë mendja, të flet barku!”.

“Këto janë refrene të banalizuara skajëshmërisht, nga njeriu që nuk ka ditur dhe nuk e ka marr asnjë vendim të guximshëm e të mirë për vendin e qytetarët. Cila paska qenë fuqia e opozitës për të penguar në: Ndërtimin e Shtetit të së Drejtës, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, lehtësimin në investime, luftimin e nepotizmit, liberalizimin, kush të pengoi të investosh për arsim cilësor, shërbime shëndetësore cilësore, investime në energjetikë, bujqësi, etj”, ka thënë Krasniqi, përmes profilit të tij në Facebook.

“Kur nuk dinë të qeverisësh, nuk guxon të marrësh vendime për vendin, ik e mos i mashtro qytetarët e Kosovës?! Kjo është puna më e mirë që mund ta bësh!”, ka shtuar më tej ai.

Kujtojmë se mediat kanë raportuar sot për një takim mes Jakup Krasniqit dhe ish-shefit të deputetëve të PDK-së, tash deputet i kësaj partie Adem Grabovci. Ata shihen bashkë në një fotografi, ndërsa sipas Ferizajpress që siguroi e para këto imazhe ata janë takuar në një hotel në Durrës.

Nisma ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë në të cilën janë në koalicion PDK-ja dhe LDK-ja, bashkë edhe me Listën Serbe.