Kosova gati për festën e 17 Shkurtit, për herë të parë me Ushtri

E publikuar: 05/02/2019 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pak ditë para përvjetorit të njëmbëdhjetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, institucionet kanë nisur të përgatisin një sërë aktivitetesh me të cilat do të shënohet kjo ditë. Për dallim nga herët e tjera, në këtë përvjetor për herë të parë pas marrjes së mandatit të ri Forca e Sigurisë së Kosovës do të parakalojë në sheshin “Nënë Tereza” si Ushtri.

Edhe pse ende nuk kanë nisur të bëhen dekorime nëpër sheshe për të shënuar 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, tashmë institucionet kanë planifikuar aktivitetet me të cilat do të shënohet kjo ditë.

Për herë të parë pas marrjes së mandatit të ri Forca e Sigurisë së Kosovës do të parakalojë në sheshin “Nënë Tereza”.

Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, e cila ka thënë se do të jenë edhe disa aktivitete para se Forcat e Armatosura të Kosovës të parakalojnë për nderë të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Sipas planifikimeve, aktivitetet për nderë të pavarësisë do të nisin me 16 shkurt, ku është paraparë që nga ora 09:00 e mëngjesit, nisja e Deklaratës së Pavarësisë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për në 7 qendrat kryesore të Republikës së Kosovës, si Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj.