Koreja e Veriut kërcënon me një provë të bombës me hidrogjen

E publikuar: 22/09/2017 17:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koreja e Veriut la të kuptohej se mund të provojë së shpejti një bombë me hidrogjen në Oqeanin Paqësor pasi udhëheqësi i vendit Kim Jong Un paralajmëroi se do t’u përgjigjet me veprime të njëjta provokative, fjalëve kërcënuese të presidentit amerikane Donald Trump dhe sanksioneve të reja.

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, ministri i Jashtëm Ri Yong Ho u tha gazetarëve se prova do të jetë përgjigja e parë e vendit të tij ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump të bëra në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fillim të javës, për ta “shkatërruar totalisht” regjimin e Koresë së Veriut.

Sot, ministri japonez i Mbrojtjes, Itsunori Onodera reagoi ndaj një prove të tillë mbi territorin japonez.

“Nëse vendosin të kryejnë një provë me bombë me hidrogjen në një raketë balistike ndërkontinentale në Paqësor, bazuar në provat e mëparshme, nuk mund të mohojmë mundësinë që ajo të fluturojë mbi vendin tonë. Këto lloj veprimesh nuk duhen toleruar”, tha ai

Pheniani kreu provën e gjashtë dhe më të madhe bërthamore këtë muaj, por të gjitha shpërthimet kanë qënë nëntokësore. Presidenti Trump e quajti udhëheqësin korean Kim Jon Un “njeri të çmendur” sot në mëngjes, duke thelluar retorikën mes tyre.