Koreja e Jugut dëshiron edhe përfshirjen e vëzhguesve të OKB-së

E publikuar: 01/05/2018 17:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, dëshiron që Kombet e Bashkuara të ndihmojnë për monitorimin e mbylljes nga Koreja e Veriut të qendrës së testimit bërthamor Pung-gye-ri. Sipas zyrtarëve koreanojugorë, Koreja e Veriut do të ftojë gjithashtu ekspertë dhe gazetarë nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara për të vëzhguar procesin.

Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un u zotua të mbyllë qendrën e testimit deri në fund të majit.

Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se koreanoveriorët synojnë të ftojmë ekspertë dhe gazetarë nga Seuli dhe Shtetet e Bashkuara për të vëzhguar mbylljen e kësaj qendre.

Zëdhënësi i Presidentit të Koresë së Jugut u tha gazetarëve sot se gjatë një bisede telefonike, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së Presidentit Moon që Kombet e Bashkuara të ndihmojnë në vëzhgimin e mbylljes së qendrës së testimit.

“Zoti Guterres shpjegoi se do të duhet miratimi i Këshillit të Sigurimit, por se ai dëshiron të bashkëpunojë për ndërtimin e paqes në gadishullin korean. Ai gjithashtu tha se do të caktojë një zyrtar të OKB-së për kontrollin e armëve që do të bashkëpunojë me Korenë e Jugut”, njoftoi Kim Eui-Kyeom, zëdhënës i Presidentit të Koresë së Jugut.

Ky zhvillim është pjesë e një vale të fundit diplomacie që mundësoi një takim mes udhëheqësve të dy Koreve, ndërsa u planifikua edhe një takim mes udhëheqësit koreanoverior Kim dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti u tha dje gazetarëve se do të ishte intriguese ta takonte udhëheqësin koreanoverior në zonën e çmilitarizuar. Vetëm pak orë më parë, Presidenti Trump e pati shprehur një dëshirë të tillë nëpërmjet Twitter-it.

Presidenti i ka thënë këshilltarit të ri të sigurisë kombëtare, John Bolton, se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë më pranë eliminimit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe të krijimit të “paqes dhe sigurisë në botë”.