KMDLNJ flet për trajtimin e dy të miturve të dyshuar për vrasjen e Aulon Zekës

E publikuar: 18/09/2017 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Monitorues të KMDLNJ-së, në kuadër të mandatit të tyre vizituan Qendrën e Ndalimit në Prishtinë pas njoftimit se janë arrestuar personat të cilët dyshohen se kryen vrasjen e Aulon Zekës.

G.H , 16 vjeç, pohoi se ai ishte arrestuar të dielën më 17 shtator në Prishtinë. Ai i pohoi KMDLNJ – së se sjellja e Policisë së Kosovës ka qenë shumë korrekte dhe nuk pati asnjë vërejtje. Në Qendrën e Ndalimit ai është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe nuk pati vërejtje për sjelljen e stafit.

Edhe e ndaluara R.G , 15 vjeçe , u arrestua të dielën më 17 shtator pas orës 23.

Në fillim është arrestuar si dëshmitare pastaj si e dyshuar për vrasje. Ajo pohoi se ndaj saj ka pasur sjellje të mira dhe nuk pati asnjë vërejtje as në sjelljet e Policisë së Kosovës gjatë arrestimit, marrjes në pyetje por as ndaj sjelljes së stafit të Qendrës së Ndalimit.

Të dy të ndaluarit janë njoftuar me të drejtat që u takojnë dhe aktualisht kanë të angazhuar edhe mbrojtës.

Ndaj të ndaluarve është respektuar detyrimi ligjor që dëshminë ta japin në prani të mbrojtësit , prindit apo kujdestarit.

Monitorues të KMDLNJ-së vlerësojnë se gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka pasur shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria. KMDLNJ vlerëson lart punën korrekte të zyrtarëve policorë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë përkundër kushteve jo-adekuate për punë.

KMDLNJ kërkon nga Ministri për Punë të Brendshme dhe Drejtori i Policisë së Kosovës të sigurojnë kushte më të mira për oficerët e policisë në këtë qendër si dhe për personat e ndaluar.