Klopp dhe Emery e lavdërojnë njëri-tjetrin, e cilësojnë ndeshjen si shumë të rëndësishme

E publikuar: 03/11/2018 03:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jurgen Klopp dhe Unay Emery e kanë lavdëruar njëri-tjetërin para ndeshjes që zhvillohet në fundjavë mes Liverpoolit dhe Arsenalit.

Ish-trajneri i Borussia Dortmundit e vlerësoi spanjollin për punën e bërë deri më tani, duke e cilësuar si një trajner të madh.

“Arsenali është një ekip i fortë. Emery kishte një detyrë të vështirë pas largimit të Arsene Wenger, i cili qëndroi në klub për një kohë të gjatë”.

“Gjithsesi, deri më tani ai ka qenë brilant, edhe pse kampionati nuk nisi në mënyrën më të mirë për ta”.

“Sfida do të jetë mjaft interesante, ne do të jemi gati”, ka thënë Klopp.

Unay Emery e ka pranuar se ndeshja do të jetë mjaft e rëndësishme për ekipin e tij, duke e cilësuar Liverpoolin si një prej skuadrave më të forta.

Spanjolli vlerësoi Reds, duke deklaruar madje se ata janë për t’u marr si shembull në të ardhmen nga “topçinjtë”.

“Çdo ndeshje ka vlerën e saj, por kjo kundër Liverpoolit ka një rëndësi shumë të madhe”.

“Ata kanë blerë disa lojtarë vitet e fundit, dhe kanë pasur një ecuri mjaft të mirë me Klopp”.

“Gjithsesi, ne do të luajmë lojën tonë, dhe kam besim se lojtarët e mi mund të marrin fitoren”, u shpreh Emery.

Sfida mes Arsenal e Liverpool do të zhvillohet ditën e shtunë, në orën 18:30. /Telegrafi/