“Jo rastësisht ishe ministër i propagandës”, Vjosa Osmani i përgjigjet ashpër Vuçiqit

E publikuar: 12/11/2019 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani i ka reaguar presidentit serb, Aleksander Vuçiq lidhur me deklaratat e këtij të fundit se vendimi për votat nga Serbia ishte inskenim i LDK-së.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se jo rastësisht Vuçiq ishte ministër i propagandës në kohën e Sllobodan Millosheviqit, shkruan lajmi.net.

Ajo thotë se pikërisht për këtë arsye, propaganda është puna që Vuçiq e bën më së miri.

“Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë”, ka shkruajtur ajo.

Postimi i plotë:

Jo rastësisht Aleksandar Vucic ishte ministër i propagandës në kohën e Milloshevicit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vucicit.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin. LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vucicit. Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë.