Java e 8, Partizani fituesi i madh

E publikuar: 24/10/2016 10:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fundjava mbylli një tjetër raund të Kategorisë Superiore. Java e 8 që është edhe e parafundit e xhiros së parë sezonale dha disa sinjale interesante ku padyshim, vëmendja kryesore u përqëndrua në betejën e kreut. Me një llogari të thjeshtë, duket se Partizani është fituesi më i madh i kësaj fundjave. 3 pikë të vuajtura ndaj Korabit dhe një barazim dhuratë nga Korça rikthejnë “Demat e Kuq” në ndjekje të kampionëve. Ekuban nuk di të ndalet. Sulmuesi afrikan i dhuroi një tjetër 3 pikësh trajnerit Starova. Ai është njeriu i momentit në kampin e kuq pasi tashmë mund të thuhet me plot gojën se e ka kaluar fazën e përshtatjes duke bërë që hija e Sukajt të venitet në radhët e klubit kryeqytetas. I fuqishëqm fizikisht dhe me aftësi të larta teknike, 22-vjeçari ka marrë përsipër fatet e skuadrës së tij me 4 gola në 3 ndeshjet e fundit ku Partizani ka grumbulluar pikë të plota dhe e ka ngushtuar në -2 diferencën me Skënderbeun. Ndoshta ky është momenti më i përshtatshëm për Partizanin që të sfidojë kampionët në fuqi pasi ekipi i Agostinellit ka treguar se ende nuk ka gjetur ritmin e sezonit të shkuar.

Humbja me Tiranën u pasua nga një barazim pa gola ndaj Kukësit dhe të Hënën, sfida më e nxehtë e javës së 9 do të japë verdiktin përfundimtar për skuadrën më të fortë të kësaj faze. Bardhekuqtë treguan ndaj verilindorëve se kanë ende limite të theksuara në sulm edhe pse në përbërjen e tyre janë disa prej emrave më me peshë të futbollit shqiptar. James dhe Salihi nuk e gjetën gjithën e përbashkët dhe për shkodranin ky është një moment “jo”. Mungesa e golit të bomberit ndihet në ecurinë e ekipit. Gjithsesi, Skënderbeu mund të mbështetet ende te fakti se vazhdon të kryesojë dhe ndoshta ky është edhe shkaku përse bardhekuqtë nuk duhet ta humbasin busullën pas dy ndeshjeve pa fitore. Përsa i përket situatës së Kukësit, pika e fituar në Korçë i jep oksigjen skuadrës së drejtuar nga Ernest Gjoka. Pjekuria e grupit verilindor është pika nga ky Kukësi synon të niset për të synuar kreun e ëndërruar. Gjithsesi, surpriza e kësaj jave vjen nga Peqini ku Luftëtari arriti të kalonte Tiranën pas rreth 3 dekadave.

Skuadra gjirokastrite po zhvillon një sezon mbi pritshmëritë dhe nëse mund të kërkojmë emrin surprizë deri në këtë pikë të sezonit është pikërisht grupi i drejtuar nga Milinkovic. 3 pikë të arta shenjestruan bluzinjtë në ndeshjen që konsiderohej si e shtëpisë për ta edhe pse qindra kilometra larg Gjirokastrës. Shpërthimi i talentit Bregu është qërshia mbi tortë e punës së bërë në skuadrën gjirokastrite që ka dhënë sinjale se nuk është thjesht kalimtare në Superiore. Ndeshja e Durrësit tregoi se ekipi i Luftëtarit ka arritur të harmonizohet me shpejtësi. Një sukses që shkon përtej 3 pikëve pasi Luftëtari është skuadra e parë që arrin të thyejë Tiranën këtë sezon, duke i ndalur bardheblutë në rrugëtimin fantastik të 7 javëve të para. Skuadra e Ilir Dajës nuk arriti të reagonte gjatë një 90 minutëshi ku kundërshtarët luajtën si të barabartë, madje rrezikuan të shënonin edhe më shumë.

Një ndeshje që duhet hedhur pas krahëve për bardheblutë, të detyruar për të bërë paqe me këtë rezultat dhe për të hedhur vështriin nga java e ardhshme.
Kryeqytetasit kanë ende marzhe përmirësimi dhe sinjalet i morën sërish nga kolonia afrikane por ajo që u duhet në këto momente është përqëndrimi pasi kampionati është ende i gjatë. Në dy duelet e tjera që këtë sezon mund të konsiderohen edhe si sfidat e mbijetesës, Flamurtari dha shenja jete pas atij barazimi 1-1 në Laç ku meritonte ndoshta diçka më shumë. Pa trajnerin Magani në stol por me një fytyrë të re u shfaq skuadra vlonjate në kurbin ku zhvilloi një 90 minutësh pothuajse perfekt deri në momentin e pësimit të golit 5 minuta nga fundit në të parën goditje në portë të vendasve. Në këtë mënyrë, të dyja skuadrat vazhdojnë të notojnë në ujëra të turbullta pasi Laçi numëron 7 pikë, 1 më shumë se kuqezinjtë. Duel i ashpër u sinjalizua edhe në Shkodër ku Vllaznia fitoi oksigjen me atë gol të Vrapit, ndërsa Teuta u rikthye te humbja dhe tashmë e gjen veten në një pozitë aspak komode në vendin e parafundit të klasifikimit./supersport.al/