Ja çfarë presim nga "Divat" nesër në mbrëmje!

E publikuar: 15/05/2018 23:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pa dashur të gjykojmë këngëtarët që kanë të drejtën e tyre të zgjedhin se cilën rrugë do të ndjekin për karrierën e tyre, duket shpesh sikur, komercializmi i ka marrë gjithë hapësirën cilësisë. Ajo që na mbetet është të “formojmë” klube të vogla që mbajnë gjallë cilësinë e artin e mirë, përkundër gjithë mundësive që u janë dhënë atyre që kanë zgjedhur rrugën e lehtë. 

Një “tralala” fiksohet më lehtë se një këngë e mirë, një tekst pa tekst mund të ngjisë më mirë se sa një poezi e mirëfilltë, por me kalimin e kohës, e sigurtë është se të gjithë do duam më shumë të këndojmë një Leonard Cohen, se çdo “tralala” anonim të kohës së tij. Dhe ja, ku vjen edhe një koncert i muzikës së mirë. “Diva Show” me 16 maj në Pallatin e Kongreseve ngjit së bashku në skenë Irma Libohovën, Rovena Dilon, Eneda Tarifën dhe Besa Kokëdhimën; nën kujdesin e një dore të padukshme në pamje të parë, por që i hedh tisin e vet të magjisë çdo kënge, si Elton Deda. Ka 10 arsye pse duhet ndjekur madje nga radha e parë koncerti “Diva” 

1 – Është një koncert për këdo që e ka marrë malli për muzikë të mirë! Për këdo që e ka marrë malli të dëgjojë tinguj dhe zëra që jehojnë në kokë edhe pasi ikën prej aty, jo se të lodhin, por se të shijojnë siç shijohet një mbrëmje me muzikë të mirë, me ëndrra të mira. Për këdo që e ka marrë malli të dëgjojë një koncert për të cilin nuk i vjen turp të flasë, sepse është koncert vlerash-divash.

2 – Për këdo që e ka marrë malli për një sallë të madhe, ku njerëz si ty, ndjejnë si ty e disi mendojnë si ty, që shijojnë si ty, atë artin që të mbush shpirtin e të kënaq dhe syrin.
3 – Për këdo që do të dëgjojë muzikë, pa parë doemos trupa të zhveshur (me të cilët nuk kemi asgjë kundra kur shkojmë në plazh). Për këdo që do të dëgjojë tekste që frymëzojnë, tinguj që frymëzojnë nga zëra që shkojnë deri në fund të sallës dhe rikthehen po aq të fuqishëm. 
4 – “Divat” sjell një copëz të historisë së muzikës shqipe. Janë këngët që dikur kur i shihnim e dëgjonim në TVSH e ekrane të tjera private i shkruanim me vrap tekstet që t’i mësonim përmendësh, sepse ishte koha kur nuk klikoje dot në google për lyrics.     
5 – Arsyeja e pestë, për të dëgjuar këngën “Ante” dhe të rifillojmë ta duam atdheun, që të “Dorëzohemi” dhe të kujtojmë se si “Për një çast më ndali zemra”.
6 – Është një koncert ku të kënaq Irma Libohova kur thotë “Kush ka vajza”, kur këndon “Herë më flet, herë nuk më flet” a “Nuk është lodër dashuria” dhe në fund të koncertit biem dakord që të çohemi në këmbë për Irmën që di të jetë këngëtare e njeri.
7 – Koncerti “Divat”, na bën të kujtojmë “Pragun e vegjëlisë” a “Engjëjt që nuk vrasin njësoj” e mandej mbush sallën me këngën “Me veten” të Eneda Tarifës sepse të mëson të mos jesh vetëm edhe kur je vetëm.
8 – Arsyeja e tetë, janë edhe performancat që do i shoqërojnë këngët: një koreografi e plotë që nis e mbaron me koncertin, si një ide e tërë  e shpërndarë në pjesë që iu vishen këngëve, pa u marrë skenën.
9 – Ka breza dhe hite. Secila më vete e të katër “Divat” së bashku, sjellin jo vetëm kujtimet më të bukura të disa brezave por edhe hitet më të mira që kanë kënduar duke sjellë së bashku një buqetë të madhe këngësh të bukur e të përzgjedhura që na kanë çuar zemrat peshë.  
10 – Ata që kanë provat mezi po e presin! Veç këngëve që u përmendën, ka edhe këngë që ende nuk i dimë që do këndohen, mbase edhe së dyti e së treti, siç ndodh në koncerte të mëdha, e në netë të gjata si mbrëmja e 16 majit në Pallatin e Kongreseve.