Ismaili kritikon ashpër Hotin: Me vendime “sot për nesër”, nuk luftohet pandemia

E publikuar: 28/07/2020 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili ka kritikuar ashpër qeverinë Hoti për masat e paralajmëruar kundër përhapjes së koronavirusit.

Ismaili ka thënë se si shoqëri dhe shtet, Kosova nuk guxon të jetë e para për nga dështimi, me numrin me të lartë të të infektuarve në 100 mijë banorë, shkruan lajmi.net.

Sipasi tij, është për të ardhur keq se si qeveria Hoti është duke vepruar në raport me menaxhimin e kësaj situate.

“Është për keqardhje dhe e papranueshme se si Qeveria Hoti vendos masa, heq masa, kufizon qytetarët, liron qytetarët, pavarësisht numrit të të infektuarve. Është një kaos i vendimeve politike në luftën kundër pandemisë”, ka shkruar ai.

Në veçanti, Ismaili ka kritikuar për masën e vetizolimit për personat që kthehen nga Shqipëria.

Postimi i plotë i Ismailit në Facebook:

Rritja e pandalshme e rasteve me Covid-19 në Kosovë, me shifra gjithnjë më të larta, është duke e kërcënuar seriozisht shëndetin e qytetarëve, sistemin shëndetësor dhe ekonominë e vendit.

Për fat të keq, kjo gjendje e rëndë nuk është duke e alarmuar Qeverinë, e cila fillon punën me disa vendime dhe e përfundon me vendime të tjera, asnjëra prej të cilave nuk po rezulton suksesshëm në menaxhimin e pandemisë.

Si shtet, si shoqëri, ne nuk guxojmë të pranojmë të jemi të parët për nga dështimi, me numrin më të lartë të të infektuarve për 100 mijë banorë dhe me një vdekshmëri në rritje.

Është e pafalshme që kjo gjendje abnormale të trajtohet nga Qeveria si gjendje normale.

Është për keqardhje dhe e papranueshme se si Qeveria Hoti vendos masa, heq masa, kufizon qytetarët, liron qytetarët, pavarësisht numrit të të infektuarve. Është një kaos i vendimeve politike në luftën kundër pandemisë.

Tani, po shohim edhe vendime për masa të vetë-izolimit për këdo që udhëton në Shqipëri. A mos në mostrën e testimeve po dalin se të infektuarit kanë qenë vizitorë në Shqipëri, apo ky është më shumë për një shoë politik? Cilat të dhëna çuan në këtë vendim?

Kosova sot ka nevojë për një strategji kombëtare, me të cilën do të diheshin qartë hapat për luftimin e pandemisë dhe roli e përgjegjësia e institucioneve në nivel qendror dhe lokal.

Qytetarët kanë nevojë për vendime që do të rezultonin në uljen e të infektuarve. Me vendime “sot për nesër”, pa asnjë rezultat, nuk luftohet pandemia.