Ish-Shefi i UÇK’së: S’kam kurrfarë faji për listat, s’ka asgjë zyrtare për aktakuzën

E publikuar: 18/08/2018 11:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agim Çeku ka thënë se ende s’e ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me një aktakuzë të Prokurorisë Speciale ndaj Komisionit për Verifikimin e veteranëve të UÇK’së. Ka thënë se nuk ndihet fajtor derisa do të flasë më shumë vetëm nëse i zyrtarizohet akuza.

Fiks para një viti, më 27 gusht, Agim Çeku bënte thirrje të denoncohen gjithë veteranët e rrejshëm. U bënte thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo mashtrues në Prokurori. Madje, kishte thënë se s’bën askush të frikësohet që t’i denoncojë mashtruesit.

Një vit më vonë, një prokuror i Prokurorisë Speciale ka nënshkruar një aktakuzë ndaj 11 personave, të gjithë zyrtarë të lartë të shtetit, me të cilin i akuzon se kanë mashtruar dhe keqpërdorur detyrën zyrtare kur kanë vendosur që t’ua njohin edhe mashtruesve statusin e veteranit.

Në mesin e tyre është edhe ish-udhëheqësi i UÇK’së, Agim Çeku, i cili ka udhëhequr procesin në fund të luftës dhe pasluftës.

“Kur të bëhet zyrtare flas. S’kam kurrfarë faji në këtë drejtim”, ka thënë Çeku,për Express, të shtunën.

“S’du me komentu më shumë. S’ka asgjë zyrtare”, ka shtuar ai.

Aktakuza e prokurorit të dorëhequr është bllokuar në Prokurorinë Speciale. Ende nuk është dërguar në Gjykatë pavarësisht se posa prokurori të nënshkruan një aktakuzë e njëjta duhet të përcillet për në institucionin që ndan drejtësinë.

Në ditën kur u dha lajmi se është dorëhequr prokurori, institucioni i akuzës lëshoi një njoftim se ka vetëm hetime por jo edhe aktakuzë për mashtruesit e statusit të veteranit. Pastaj, u tha se ka draftakuzë, një përkufizim që s’është i njohur në Kodin Penal, dhe se drafti i aktakuzës është vetëm derisa Prokurori e ka të panënshkruar aktakuzën.

Sidoqoftë, dëmi që i bëhet Shtetit, sipas aktakuzës së nënshkruar nga Prokurori i dorëhequr, është afër 40 milionë euro në vit.

Pas kësaj aktakuze pritet që e njëjta të zgjerohet dhe të merren Prokuroritë Themelore. Pritet të dalin para gjyqit edhe veteranët mashtrues, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë të gjitha mjetet e vjedhura të Shtetit. Madje, nëse nuk kanë të holla, Shteti mund t’ua konfiskojë edhe pasuri për eurot e shtetit që kanë zhvatur.

Në gjithë këtë situatë, Agim Çeku, para një viti bënte thirrje secilit që ka informacion për mashtruesit t’i deponojnë në Prokurori.

“Veteranët dhe qytetarët duhet të marrin guximin dhe t’i shkruajnë Prokurorisë. Kush ka raste, ia dini emrin, asnjë qytetar s’duhet të pritojnë, duhet të dërgojnë emrat e tyre në Prokurori. Prokuroria është duke marrë të dhëna. Prokuroria ka punuar. Veteranët dhe qytetarët mund t’i ndihmojnë shumë Prokurorinë për largimin e veteranëve të rrejshëm”, kishte thënë Çeku, për Express.

Thirrje e Agim Çekut kishte ardhur pas letrës publike të Kadri Veselit drejtuar shoqatave të dala nga lufta, ku iu bëri thirrje të largojnë falsifikatorët nga listat e veteranëve.

Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.
Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.