Ish-komandanti i UÇK-së pritet të intervistohet sot nga Specialja

E publikuar: 22/01/2019 09:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot pritet të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ish-komandanti i UÇK-së Nazif Mehmeti. Mehmeti, i cili kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale muaj më parë, ende nuk e di vendin në të cilin do të intervistohet. Avokati i Mehmetit, Tahir Rrecaj, ka deklaruar dje për “Zërin” se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë që klienti i tij të shkojë në Hagë, shkruan gazeta “Zëri”.

“Nuk e dimë as vendin e as orën e saktë të intervistimit, mirëpo po presim të na njoftojnë. Besoj që do të intervistohet në Prishtinë, por ende nuk kemi ndonjë konfirmim nga ana e prokurorit”, ka thënë ai. Rrecaj ditë më parë ka theksuar që nuk e di cilësinë në të cilën është ftuar klienti i tij për në Hagë. “Ende nuk na është bërë e ditur për çfarë cilësie është ftuar Mehmeti, por besoj se para intervistimit kjo duhet të na tregohet, pasi është krejtësisht e ndryshme të ftohesh si dëshmitar dhe krejtësisht e ndryshme të ftohesh si i akuzuar”, ka thënë Rrecaj.

Mehmeti do të intervistohet më 22, 23 dhe 24 janar. Ditë më parë nga Prokurori i Specializuar janë intervistuar edhe dy ish-eprorët e UÇK-së, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, të cilët për dallim nga Mehmeti janë marrë në pyetje në Hagë të Holandës.