Hoxhaj: Nëse Serbia nuk sillet mirë, do t’i rrisim taksat

E publikuar: 08/11/2018 21:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vizitës në Ferizaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj qëndroi edhe në “Abi Center” në Prizren, ku u takua me pronarin e kësaj qendre tregtare, i cili njëkohësisht është edhe pronar i kompanisë “Abi dhe Elif”.
Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj tha se Kosova ka nevojë që gjatë këtij viti të triumfojë ekonomikisht në raport me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

Lidhur me vendimin për taksën prej 10 % për produktet e Serbisë, ai shtoi se ka gjasa të rriten taksat për Serbinë, nëse ajo nuk sillet mirë.

“Vendimi do të mbetet në fuqi. Nëse Serbia nuk sillet mirë, do t’i rrisim taksat. Por mbetet që ta mbajmë një herë këtë vendim në fuqi. Kjo do ta mbështet ekonominë e Kosovës. Do të ishte një përgjigje ndaj fushatës që po bën Serbia kundër Kosovës. Ne kemi nevojë që në 2018 të triumfojmë ekonomikisht në raport me Serbinë”.
“Ne si qeveri e Kosovës kemi marrë një vendim në Prishtinë. Arsyeja pse jemi në Prizren dhe ishim në Ferizaj është për të tregu gjeografi se ku do të jetë zbatimi i këtij vendimi. Qeveria ka marrë një vendim në emër të institucioneve të Kosovës, tash presim nga qytetarët të marrin një vendim të tillë. Presim nga marketet e tjera që sa ma shumë t’i përkrahin prodhimet vendore”.

Irfan Fusha, pronari i “Abi Center”, u rekomandoi konsumatorëve kosovarë që t’i përkrahin produktet vendore, në mënyrë që të zbutet papunësia e të zhvillohet ekonomia e Kosovës.

“U preferoj konsumatorëve që kemi kualitet i cili brenda ditës na arrin në fabrikë dhe brenda idtës në treg. Për me zbutë papunësinë dhe me zhvillu ekonominë e Kosovës duhet t’i përkrahim prodhimet vendore”.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha tha se Kosova duhet të fokusohet në prodhim sepse prodhimi është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik.
“Këtu ka mjaftueshëm prodhime të Kosovës, dhe besojmë që qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë t’i konsumojnë këto produkte, më pak të Serbisë. Në fakt, siç ka thënë zv.kryeministri, komplet me i bojktu është një prej thirrjeve që jemi duke e bërë sot. Prodhimi është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik dhe ne duhet të fokusohemi në prodhim”.