Hoxhaj: Në koalicion parazgjedhor me partitë e vogla, qeverisja e Haradinajt s’përmbushi misionin

E publikuar: 14/08/2019 10:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është deklaruar e gatshme për zgjedhje të reja.

Nënkryetari i saj Enver Hoxhaj, thotë se nuk përjashtohen mundësitë që PDK-ja të lidhë koalicion me ndonjë një parti të vogël.

“Qëndrimi ynë si parti politike është që ne do shkojmë në zgjedhje të vetme, nuk e përjashtojmë mundësinë që mund bëjmë koalicion me ndonjë parti të vogël, por jo me ndonjë parti të madhe relevante”, ka thënë ai për EO.

Hoxhaj u shpreh se PDK-ja nuk negocion me askënd për postin e të parit të Qeverisë, pasi që kjo është një traditë e cila e ka përcjellë këtë parti me vite rresht.

“Mendoj që PDK-ja është e qartë, që vetëm posti i kryeministrit që është dhe traditë e PDK-së, ne sa herë e kemi pas kryeministrin, jemi dalluar si parti e vendimeve të mëdha, e një qeverisje dinamike, e rezultateve konkrete, është oferta jonë për këto zgjedhje dhe asnjë hap mbrapa, asnjë kompromis, asnjë lëshim pe, nuk është në imagjinatën tonë politike aktualisht”.

Ai tha se në mandatin e qeverisë Haradinaj, nuk kanë përfunduar shumë procese, andaj edhe thotë se meritat për shumë vendime të mëdha të vendit, i ka vetë Partia Demokratike e Kosovës.