Hoti: Platforma e vetme për dialogun e Brukselit është Kushtetuta e Republikës së Kosovës

E publikuar: 14/02/2019 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekipi negociator i përfaqësuar nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti sot kanë zhvilluar një takim prej të cilit kanë nxjerrë platformën përfundimtare për dialogun e Brukselit të cilin nesër pritet t’ia dorëzojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se platforma e vetme e dialogut është Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe se çfarëdo formati tjetër i platformës është në kundërshtim me frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Express.

Sipas Hotit, askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësinë e Kosovës.

“Platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës. Ekip negociator është Qeveria e Kosovës që ka legjitimitet politik për të ushtruar kompetencat e veta kushtetuese. Çdo format tjetër është jo kushtetues dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë”, ka thënë Hoti.

Ai thotë se institucionet aktuale që po e përfaqësojnë Kosovën nuk kanë as fuqi e as legjitimitet politik.

“Kosova është shteti i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese. Pasi institucionet aktuale nuk kanë fuqi politike dhe as legjitimitet, atëherë duhet ndjekur rrugët për të fituar legjitimitetin fillimisht. Koalicioni PAN në asgjë nuk është unik përveç për të qëndruar në pushtet me çdo kusht”, ka shtuar deputeti i LDK-së.

Hoti ndër të tjera ka kritikuar edhe qasjen e kësaj qeverie karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se është hera e parë në historinë 30-vjeçare të Kosovës që po cenohen raportet me Amerikën.

“Derisa në Qeverinë e kaluar janë bërë përpara në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, duke nënshkruar MSA-në, anëtarësimi në organizata të ndërkombëtare, zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe arritje të tjera sado modeste që mund të jenë, me Qeverinë e PAN-it Kosova ka bërë hapa prapa. Është hera e parë në historinë 30 vjeçare të përpjekjeve tona për shtet të pavarur që cenohen marrëdhëniet miqësore me SHBA-në. Është hera e parë në historinë tonë si shtet që Kryeministrit i vendosen ndalesa për udhëtim në SHBA. Mendoj se vetë partia e tij do të duhej të kërkonte dorëheqjen. PDK duhet të marrë përgjegjësinë kryesore në këtë izolim të Kryeministrit të Kosovës, pasi para dy jave vraponte për të marrë meritat për vendosjen e taksës”, ka përfunduar Avdullah Hoti. /GazetaExpress