Hoti nuk duron padrejtësitë në UP, tërhiqet nga posti prorektorit

E publikuar: 21/04/2017 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, Afrim Hoti ka kërkuar që të largohet nga ky post.

Ai ka njoftuar rektorin e UP-së Marjan Dema me kërkesën e tij se don të lirohet nga detyra e prorektorit për marrëdhënie ndërkombëtare në shenjë pakënaqësie me zhvillimet e fundit në UP.

Burime të gazetës “Zëri” brenda Rektoratit të Universitetit të Prishtinës UP-së bëjnë të ditur se prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare Afrim Hoti tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e tij se donë të largohet nga detyra e prorektorit dhe nuk donë të jetë pjesë e kësaj strukture menaxhuese.

Madje, Hoti e ka njoftuar se dorëheqjen e tij do ta dorëzoje dhe me shkrim rektorit.

“Hoti ka kërkuar të lirohet nga pozita e prorektorit dhe se ia ka bërë me dije rektorit Dema se nuk dëshiron të jetë më pjesë e kësaj strukture menaxhuese, e cila po akuzohet për shkelje të ligjit”, ka thënë në kushte anonimiteti ky burim.

Gazeta ka kontaktuar edhe me prorektorin Hoti, i cili nuk ka mohuar përplasjet e tij me rektorin Dema.

“Kam pasur një takim së fundmi me Rektorin dhe mund të konfirmoj që problemet dhe proceset në Universitet i shohim ndryshe”, ka deklaruar Hoti.

I pyetur sesi i sheh ndryshe nga rektori zhvillimet në UP, Hoti është përgjigjur shkurt se në ditët në vijim do të njoftojë gjithë opinionin për këtë.

“Prandaj, në ditët ne vijim do bëjë kërkesë zyrtare për t’u liruar nga detyra”, ka deklaruar Hoti.