Hoti nga Vitia premton se do ta zhduk korrupsionin

E publikuar: 27/05/2017 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të shtunën në Viti se rinia, punësimi i tyre dhe hapja e perspektivës për ta është prioriteti kryesor i Qeverisë së ardhshme që do ta krijojmë pas 11 qershorit.
“Kemi përgatitur një program qeverisës bashkë me partnerët tanë, prej njerëzve më të mirë që i kemi brenda në listë dhe që i ka Kosova. Ky është ekipi që do të qeverisë Kosovën në të ardhmen me duar të pastra. Programi ynë ka prioritet rininë, punësimin e tyre dhe hapjen e perspektivave të reja”, ka thënë ai.

“Ne do t’i përkrahim pa asnjë dallim të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Do të hapim rrugën për të rinjtë dhe të rejat që të kenë qasje në institucionet arsimore në gjithë botën për të na sjellë më pas përvojat më të mira të zhvillimit në vendin tonë”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se ka marrë bekimin e gjithë strukturave të LDK-së, themeluesve dhe protagonistëve kryesor të partisë, për të ndërtuar një program dhe ekip që do ta zhvillojë Kosovën, do ta zhdukë korrupsionin, dhe do ta dërgojë vendin tonë atje ku e ka vendin, në familjen evropiane.

Hoti ka thënë se lista e koalicionit nga numri 1 deri në 110, është secili më profesional dhe më i pastër se tjetri.