Hoti fton partitë politike që ta mbështesin Rezolutën kundër negocimit të territorit të Kosovës

E publikuar: 30/10/2018 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka ftuar grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës që në seancën e jashtëzakonshme e cila do të mbahet të mërkurën, ta mbështesin rezolutën që kundërshton bisedimet për territorin e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në një postim në rrjetin social Facebook tha se kjo është vija e kuqe më e rëndësishme e Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Hoti po ashtu theksoi se përmes kësaj rezolute duan të dërgojnë mesazh tek partnerët ndërkombëtarë se qytetarët e Kosovës nuk kanë vullnet të negociojnë për territorin e Kosovës.

“Ne presim që nesër në seancën e jashtëzakonshme të miratohet rezoluta ‘se askush nuk mund të negociojë për territorin e Kosovës’. Kjo është vija e kuqe më e rëndësishmja në procesin e dialogut me Serbinë. Në deklarimet publike të gjitha grupet parlamentare janë shprehur kundër që territori i Kosovës të jetë pjesë e dialogut. Ne ftojmë të gjitha grupet parlamentare të jenë në seancë dhe të mbështesin këtë rezolutë. Ne dëshirojmë që përmes kësaj rezolute të dërgojmë mesazh tek partnerët tanë ndërkombëtarë se qytetarët e Kosovës nuk kanë vullnet të negociojnë për territorin e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai gjithashtu potencoi se LDK dëshiron që ta ndalë përfundimisht presidentin, Hashim Thaçi, që të luajë me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës.

“Ne dëshirojmë ta ndalim përfundimisht Presidentin që të luajë çdo ditë me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur, sovran dhe të pacenueshëm në tërësinë territoriale të tij”, ka shkruar ndër të tjera, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ndryshe, më 31 tetor do të mbahet seanca e jashtëzakonshme lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, kërkesë kjo e bërë nga Lidhja Demokratike të Kosovës.