Haxhiu pas takimit: Jemi dakorduar 100 për qind për programin qeverisës, në fillim të javës së ardhshme pritet të nënshkruhet marrëveshja për koalicion

E publikuar: 29/11/2019 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka përfunduar takimi ndërmjet grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për mbylljen e të gjitha çështjeve të cilat kanë mbetur të hapura për programin qeverisës.

Albulena Haxhiu nga LVV, pas takimit ka thënë se sot kanë rënë dakord për të gjitha çështjet e papërfunduara lidhur me programin qeverisës.
“Dje pas takimit ndërmjet kryetarëve Kurti dhe Mustafa, jemi mandatuar si grup punues për të finalizuar çështjet programore të cilat na kanë mbetur e që nuk kemi pasur dakordim. Sot në takim të gjitha çështjet në kuptimin programor janë finalizuar. Sa i përket programit qeverisës mund të them se 100 për qind kemi arritur pajtueshmëri të plotë. Pra, drafti i programit qeverisës pas marrëveshjes së nënshkruar do të bëhet publik”, ka thënë ajo, përcjell Telegrafi.

Haxhiu theksoi se në fillim të javës së ardhshme pritet të ketë marrëveshje.

“Lidhur me ndarjen e përgjegjësive besoj që para të hënës do të ketë takim ndërmjet kryetarëve dhe jemi optimist që marrëveshja të nënshkruhet deri në fillim të javës tjetër. Besoj që shumë shpejt do të arrihet marrëveshja. Deri tani kemi pasur bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe takimi ishte shumë konstruktiv”, është shprehur ajo.

Sipas saj brenda 30 ditësh, Presidenti duhet ta thërras seancën e Kuvendit.

“Tani ju e dini që barrën e thirrjes së seancës e ka Presidenti Thaçi dhe ka afat 30 ditë. Nuk besoj që është në interes të tij që të shkel Kushtetutën dhe ai ka obligim Kushtetues ta thërras këtë seancë brenda 30 ditëve dhe nëse nuk e thërret Kuvendi mblidhet vetë, që kemi nenin kushtetues ku parasheh mandatarin”, ka thënë ndër të tjera ajo.